Skandal i ri në Zhan Mitrev, operacionet tek foshnjat i bëjnë mjekët pa licencë

by admin
Spread the love

Në spitalin privat të kardiologjisë “Zhan Mitrev” dyshohet se kryhen operacione me anomali më të rënda në zemër te fëmijët deri në 1 vjeç, por pa mjek të licencuar për këtë lloj të ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan Alsat.

Dyshimet u shpalosën nga hulumtimi i radios Evropa e Lirë. Reparti u hap në vitin 2019 pasi një ekip i Klinikës së kirurgjisë shtetërore të fëmijëve i udhëhequr nga Vlladimir Çadikovski, i vetmi i licencuar kardiokirurg për fëmijë, ishte zhvendosur në spitalin “Zhan Mitrev”.

Por, Klinika vazhdoi me veprimtarinë duke marr edhe pëlqimin e Ministrisë Shëndetësisë se i përmbushë kushtet.

“Ligji për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut përcakton kushtet për themelimin, fillimin e punës, kryerjen e veprimtarive të kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e veprimtarisë së institucionit shëndetësor. Sa i përket personelit të kërkuar, thuhet vetëm se institucioni shëndetësor duhet të ketë një numër të caktuar të punëtorëve shëndetësorë në varësi të llojit të aktivitetit shëndetësor, përkatësisht specialistit, askund në ligj nuk përmendet termi sub-specialist”, thuhet në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

Spitali “Zhan Mitrev” më 14 gusht të vitit 2019 ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ofrimin e listës së shërbimeve shëndetësore, ndër të tjera, për kirurgji kardiovaskulare pediatrie për personat e siguruar deri 18 vjeç, duke ditur se në vend lindin mesatarisht 100 fëmijë në vit me anomali në zemër.

Çmimi për operacione në spitalet private për fëmijët nga 1-18 muaj është rreth 16 mijë euro. Ndërsa për foshnjat deri në 28 ditë, është së paku 2,000 euro. Në “Zhan Mitrev”, në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, janë kryer 77 operacione kardiovaskulare te fëmijët nën 1 vjeç. Kjo do të thotë se spitali privat ka arkëtuar të paktën 1 milion e 240 mijë euro nga të siguruarit për këtë periudhë vetëm për këto operacione.

“Megjithëse ‘Zhan Mitrev’ mban epitetin e klinikës disa reparte vitale për të mbajtur legjitimitetin e këtij primati, nuk janë aktive. Ndërsa spitali kardi-kirurgjik i fëmijëve ku foshnjat i bëjnë operacion, por kardio kirurgu i vetëm i fëmijëve me licencë nuk është i punësuar në këtë Klinikë dhe për këtë arsye Komisioni Shtetëror anti-korrupsion ka hapur lëndë për të hetuar në rast se ka shkelje ligjore”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit konfirmuan se ligji mundëson që në rrjetin e institucioneve shëndetësore, të veprojnë edhe ata që kanë vetëm leje pune, por jo licencë dhe gjatë hapjes së një spital klinik nuk nevojitet licencë për mjekë të specializuar. Efekti i kësaj, sipas konstatimit të Komisionit është funksionimi i një klinike pa licencë dhe pa mjekë të licencuar.

Ndërkohë, në prokurori vazhdon hetimi ndaj mjekut Zhan Mitrev për shkak të dyshimit për mashtrim me pacientë. Sipas prokurorisë, dyshohet se ka mashtruar pacientët e trajtuar me Covid-19 me metodën e hemo filtrimit duke paraqitur fakte të rreme, me qëllim që spitali i tij të përfitojë para në mënyrë të parregullt./Alsat

You may also like