Skadon afati i Berishës, besnikët e tij nuk arrijnë të futen dot në seli, kërcënohet me mësymje në 8 janar

by admin
Spread the love

Kreu demokrat Lulzim Basha ka vendosur të mos lejojë futjen në seli të mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit pak kohë më parë vendosi si afat datën 5 janar që Basha të largohej nga selia. Por ky afat ka skaduar dhe kreu demokrat nuk ka lëvizur nga selia e PD. Ditën e djeshme disa nga mbështetësit e Berishës me në krye deputetin Flamur Noka kanë shkuar në selinë blu, por dyert e PD kanë qenë të kyçura.

Noka në një komunikim me mediat u shpreh se ardhja në seli ishte për të zhvilluar një mbledhje sa i përket axhendës parlamentare për vitin 2022. Ai tha se shtëpia e demokratëve është kthyer në një burg të sigurisë së larë teksa nuk munguan as akuzat për Bashën duke e quajtur një peng të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij,veprime të tilla janë të turpshme dhe të neveritshme.

“Një grup deputetësh dhe deputetesh, anëtarë të Grupit Parlamentar të PD erdhëm sot në Selinë e PD, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një mbledhje në lidhje me axhendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022. Po konstatojmë me dhimbje se shtëpia e lirisë, Partia jonë Demokratike, në vend që të ishte një ambient që gumëzhinte për fat të keq Edi Rama e kthyer me pengun e tij në një “Alkatraz” të kohëve moderne. E ka kthyer PD-në në një burg të sigurisë së lartë, kjo është e turpshme, është e neveritshme”, u shpreh ai.

Noka u ndal edhe tek protesta e 8 janarit për të cilin u shpreh se do të jetë një ditë ku demokratët do të marrin frymë lirisht. Sipas deputetit burgu i sigurisë së lartë me dyer e dritare të blinduara në datë 8 janar do të kthehet në shtëpinë e lirisë.

“Data 8 do të jetë data kur demokratë do të marrin frymë lirisht jo nga burgu i Alkatrazit, por nga shtëpia e lirisë. Më datë 8 në mënyrë paqësore do të rimarrin burgun e sigurisë së lartë dhe ta kthejmë në shtëpinë e lirisë. I ka mbyllur dyert dhe ka blinduar dritaret, Alkatrazi nuk mund të jetë shtëpia e demokratëve. Deri më sot ka patur afat për të zbatuar parimin nr 1 të demokracisë, votën e shumicës. Nga data 8 sovrani e kthen këtë godinë nga Alkatrazi në shtëpinë e lirisë”, tha Noka.

Ndërkohë nga ana tjetër ish-kryeministri ka vijuar me thirrjet për protestën e 8 janarit. Me anë të një postimi në rrjete sociale Berisha ftoi gjithë demokratët që të jenë prezent teksa u ka kërkuar edhe konfirmimin për pjesëmarrjen. Sipas burimeve, në prapaskenë po punohet që dyert e selisë së PD të hapen me dhunë. Ditën e djeshme dega e Partisë Demokratike në Kukës zhvilloi një takim festiv për 31 vjetorin e themelimit.

Në këtë takim morën pjesë themelues, anëtarë, drejtues ndër vite të kësaj dege. Ndërkohë gjatë fjalës pothuajse të gjithë bashkëfolësit kërkuan bashkimin e PD-ës dhe largimin nga selia qendrore të kreut demokrat Lulzim Basha ose në të kundërt më 8 janar do të dalë me dhunë nga protestuesit duke hequr kështu mundësitë për protestë paqësore.

You may also like