“S’ka shumë kohë për të gabuar sërish”, analisti i njohur zbulon emrin e politikanit që po përfiton nga konflikti brenda PD-së dhe çfarë e pret Berishën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Analisti Lorenc Vangjeli shprehet i bindur se Berisha është modeli më i keq për t’u ndjekur në politikë duke shtuar se edhe për shkak të moshës nuk ka kohë për gabuar sërish. Vangjeli theksoi për ‘ABC Live’ se ai duhet t’ia kishte kursyer vetes këtë aksion që po çon sërish në të njëjtën pikë.

“Modeli më i keq për t’u ndjekur në politikë është zoti Berisha. Ajo që ia konsiderojmë si defekt, pra moshën, është epërsi. Sepse Berisha nuk ka shumë kohë për të gabuar sërish. Me keqardhje vë re se po gabon. Foltorja më ngjan si vrap nëpër Tiranë nga Zogu i Zi për të arritur sërish në të njëjtën pikë. Zoti Berisha mund t’ia kishte kursyer këtë aksion vetes në radhë të parë, sepse do arrijë sërish në të njëjtën pikë. E shoh PD në një opozitë të vazhdueshme. E shoh si dëm për shoqërinë shqiptare për shkak se nuk i jep ekuilibër qeverisjes”, deklaroi Vangjeli.

Ndalur tek krisja me Bashës dhe Berishës, Vangjeli nënvizoi se ashtu si në 2017, gara nuk është për fituar Shqipërinë por partinë, duke i cilësuar të dy ata këmbët e të njëjtit trup që hedhin të njëjtën valle. Mullixhiu i kënaqur në këtë rast, sipas Vangjelit, është pikërisht Rama.

“Ka një risi që nuk është vënë re shumë edhe në qindra orë debate dhe komente politike në studio televizive. Risia është me ndreqjen e një artifici dhe kundërkohë, kundërthënie të zotit Basha që kishte të bënte me konfliktin e hapur me zotin Berisha. Deri dje pranohej ky konflikt por nuk thuhej. Ishte e gabuar mënyra se si një pjesë e PD tentonte t’i jepte përgjigje këtij shqetësimi duke lexuar statutin. Nga java e shkuar deri tani Basha po i përgjigjet kësaj lëvizje politike me mjete politike. Nëse kthehemi te pezullimi i Berishës, Basha rrëfeu se nuk besonte por pranonte vendimin e SHBA. Në fillim e lëvdonte si Mark Antoni Çezarin dhe po në të njëjtin fjalim bënte thirrje për groposjen e tij. Kjo kundërthënie i ka krijuar probleme zotit Basha. Po të ishte kështu, çdo kush tjetër mund ta bënte përjashtimin e zotit Berisha, përveç Bashës.

Në 2017 Basha donte të fitonte partinë dhe jo Shqipërinë. Dhe sot po ndeshemi me të njëjtën histori. Edhe sot po shohim të njëjtën ndeshje. Ky është absurdi i madh në të cilët Basha dhe Berisha janë këmbë të të njëjtit trup që hedhin të njëjtën valle. Daullxhiu dhe mullixhiu i kënaqur është Rama. Të dy bashkë kanë pas shpinës dilemën nëse partia mund të bëhet më e madhe se kryetari. Ata duhet të bëjnë opozitën më të madhe se partia. Kjo ndeshje po e bën partinë dhe më të vogël se kryetari. Basha duhet të tregonte të kundërtën e asaj që ben dhe jo të largonte çdo zë kundër. Koha më e keqe për të bërë këtë ishte pikërisht kjo. Edhe pse ka të drejtë në teknekalitete, që u ka mbaruar mandati, koha është e gabuar. Basha vlerësohet se ka gjysmën e partisë dhe mbi gjysmën e grupit parlamentar. Sipas parimit që fituesi i merr të gjitha, kush e fiton të gjitha i merr të gjitha. Në luftë dezertorët kanë një fat tjetër. Nëse janë 100 veta, nuk do të thotë që mund të jenë edhe 10 mijë të tjerë. Shumë pak veta duan t’ia dinë për situatën në PD. Ai tjetri është në hapësirë i shikon të gjitha lart. Ftesa e munguar e të dyja palëve është hajde të bëjmë politikë. As njëri, as tjetri nuk po bën politikë”, tha ai.

Vangjeli foli edhe për debatet në Kuvend, duke veçuar atë për eurobondin, ku tha se shumica e deputetëve nuk e kishin konceptin e tij. “Edi Rama është ariu i batutës u bën gjithmonë protagonistëve përballë ftesën për t’u ndeshur në fushën e tij dhe i mund rregullisht. Është mënyra më komode për një kryeministër për të qeverisur. Ka shumë gjëra për t’u pyetur. Janë një shumicë dërrmuese e atyre grave dhe burrave atje që nuk e kanë idenë se çfarë është eurobondi. Ne dëgjuam shumë pak për këtë instrument financiar. Kryeministri jepte shpjegimet e tij ndërsa kundërshtarët e tij e hidhnin poshtë me lehtësi sepse nuk kishin dëgjuar gjë. Publiku dëgjoi vetëm batuta”, tha Vangjeli.

You may also like