Sinjale pozitive nga bisedimet në Turqi, Ukraina: Neutralitet në këmbim të garancive të sigurisë

by admin
Spread the love

Turqia priti delegacionet ruse dhe ukrainase për të zhvilluar bisedimet e paqes të cilat kanë dhënë frytet e para.

Për ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ky takim i parë ballë për ballë midis dy palëve ka sjellë një progres të dukshëm.

Gjatë bisedimeve të paqes Ukraina ka bërë të ditur se do të miratojë statusin neutral,  një nga kërkesat kryesore të Rusisë, në këmbim të garancive të sigurisë.

Statusi neutral do të nënkuptonte se Ukraina nuk do të bashkohej me asnjë aleancë ushtarake, si NATO-ja, ose baza ushtarake. Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë ndër garantuesit e mundshëm të sigurisë për Ukrainën.

Çfarë deklaruan negociatorët ukrainas

Negociatorët ukrainas thanë në fund të takimit me dyer të mbyllura se ishte shënuar përparim i mjaftueshëm për një takim mes presidentëve Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin. Sipas tyre, negociatat do të vazhdojnë, por do të përfshijnë edhe 8 vende të tjera garante, mes të cilave edhe Turqia. Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë në linjë me artikullin e 5 të Natos, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm. Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm. Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha negociatori ukrainas.

Edhe Rusia flet për bisedime konstruktive me Kievin

Edhe kryenegociatorit rus, Vladimir Medinski i cituar nga mediat në Moskë, foli për bisedime konstruktive me Kievin në Stamboll. Ai tha se pala ukrainase kishte paraqitur propozime me shkrim që konfirmojnë vullnetin e vendit për statusin neutral dhe pa armë bërthamore. Siç tha, propozimet do t’i përcillen presidentit Putin, para se t’i kthehet një përgjigje Kievit.

Në një sinjal të përafrimit të qëndrimeve mes palëve, zëvendës ministri i mbrojtës në Rusi, Alexander Fomin, pjesëmarrës në bisedimet e Stambollit njoftoi se Rusia do të reduktojë në mënyra radikale aktivitetin ushtarak rreth Kievit dhe Chernihiv.

Sipas Fomin, vendimi ishte marrë për të rritur besimin reciprok dhe për të ndihmuar më tej negociatat dhe arritjen e qëllimit përfundimtar, që është nënshkrimi i marrëveshjes mes dy palëve. Sakaq Pentagoni thotë se ka provat që avancimi i rusëve në Kiev është ndalur.

Tregjet reaguan pozitivisht pas këtyre lajmeve pasi aksionet në Europë janë rritur ndërsa çmimi i naftës bruto Brent ka rënë me mbi 6%.

 

You may also like