Si mund t’ju ndihmojë IA të ngjisni shkallët e karrierës në korporatë?

by admin
Spread the love
Drejtuesi global i IA në KPMG flet mbi këndvështrimin e tij optimist

 

A e keni pyetur ndonjëherë veten  se pse disa njerëz përparojnë më shpejt se ju në punë? Ne të gjithë e dimë se arsyeja nuk është gjithmonë sepse ata janë më të mirë në punën e tyre… Sipas një studimi të KPMG, ka shumë të ngjarë që kjo mund të lidhet me klasën tuaj sociale.

Studimi tregon se individëve me prejardhje nga kontekste socio-ekonomike më të ulët iu desh mesatarisht 19% më shumë kohë për të përparuar në nivelin tjetër, në krahasim me ata me prejardhje nga kontekste socio-ekonomike më të lartë. Por Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në barazimin e fushës së lojës. Ndoshta.

Në episodin e radhës së “The Big Question”, Hannah Brown, diskutoi me David Rowlands, drejtuesin global të IA në KPMG për potencialin e Inteligjencës Artificiale për të rritur ose për të ulur hendekun e pasurisë, në varësi të mënyrës se si e përdorim atë.

 

A mund të ndihmojë Inteligjenca Artificiale në rritjen e lëvizshmërisë sociale?

Studimi, i publikuar nga  KPMG UK, analizoi rrugëtimin e karrierës së 16.500 punonjësve të KPMG në një periudhë 5-vjeçare dhe zbuloi se niveli socio-ekonomik i një personi ishte faktori kryesor që ndikonte në shpejtësinë e përparimit në një kompani.

Ndërthurja e shumë faktorëve me rezultate të ulëta dukej se kishte efekt të shumëfishtë, ku gratë e bardha me prejardhje nga kontekste socio-ekonomike më të ulëta përparojnë më ngadaltë.

Në anën tjetër të shkallës, burrat aziatikë me prejardhje nga kontekste socio-ekonomike më të larta përparuan më shpejt, duke krijuar një hendek midis këtyre dy grupeve prej 32%.

Ndërkohë që KPMG po punon fort për të barazuar fushën e lojës në brendësi, David Rowlands beson se Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë kompanitë, industritë, madje edhe kombet të bëjnë të njëjtën gjë.

“Inteligjenca Artificiale është si një superfuqi, ajo do të përmirësojë aftësinë e njerëzve si individë, po ashtu edhe fuqinë punëtore, organizatat, shoqëritë në tërësi”. Por kjo nuk ndodh në të njëjtën masë.

“Në praktikë, IA do të përmirësojë rendimentin e punonjësve të nivelit mesatar-të ulët më shumë se tek ata të lartë. Me fjalë të tjera, do të rrisë rendimentin e gjithë ekipit dhe do të zvogëlojë hendekun e performancës”, – shpjegoi David.

“Është një mundësi për njerëzit që kanë mbetur pas, për shkak të çdo lloj përvoje në jetë – mundësi në arsim apo trajnim në të kaluarën. Dhe, natyrisht, njerëzit shpërblehen financiarisht në bazë të rezultateve të tyre, ndaj kjo është një mundësi për të mbyllur hendekun e pasurisë”.

 

Si mund të sigurohemi që askush të mos jetë i përjashtuar nga përfitimet e IA?

“Nëse nuk fillojmë të mendojmë se si duam të jetë shoqëria, si duam të jetë më e drejtë, më e barabartë, ne do ta humbasim momentin”, – këmbënguli David.

Përtej parametrave të brendshëm të biznesit, një nga faktorët kryesorë për të siguruar që njerëzit me prejardhje ose nga vende më të varfra të mos mbeten pas është arsimimi dhe barazia e aksesit në IA. Megjithatë, kush e ka përgjegjësinë për ta bërë këtë?

Nëpërmjet ndërthurjes së përpjekjeve private dhe publike, njerëzit duhet të kenë akses në energji elektrike, internet dhe një pajisje. Të dhënat tregojnë se 2.6 miliardë njerëz në botë ende nuk kanë akses në internet dhe thuajse 746 milionë nuk kanë energji elektrike.

“Ekziston një pyetje interesante që lidhet me organizmat mbikombëtarë si Bashkimi Europian dhe aksesi te fuqia e llogaritjes, aksesi të zhvillimi i modeleve, aksesi te formimi dhe zhvillimi, në mënyrë që këto të jenë të realizueshme mes Shteteve kombëtare”, – sugjeron David.

Është e thjeshtë të kuptosh se Shtetet kombëtare mund të luajnë një rol kyç në këtë fushë, se  aftësitë bazë për të qenë në gjendje të përdorësh mirë IA duhet të jenë pjesë e programeve shkollore”.

“Nëse ne do t’ia dalim t’i vëmë këto aftësi në duart e njerëzve gjatë periudhës shkollore dhe universitare, kjo do të ndihmojë disa që të kenë përfitime sociale. Nëse do t’ia dalim, do të kemi mundësinë t’i japim formë një të ardhmeje më të barabartë se ajo që kemi sot”.

“The Big Question” është një seri e  Euronews Business ku diskutohen disa prej temave më të rëndësishme të axhendës sot me liderë dhe ekspertë të sektorit.

/ Euronews

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like