Si lindin dhe përhapen meme-t?

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg
“Studimi ynë lindi nga pyetja: nga vjen kultura e internetit?”, – thotë për Tech Xplore, Michael S. Bernstein, një nga autorët e artikullit. “Jemi të rrethuar nga meme dhe forma të tjera të kulturës online, por në cilat komunitete lindin përmbajtjet që shohim rreth nesh çdo ditë?”

 

Si lind dhe si përhapet një meme? Një ekip kërkuesish nga Universiteti i Stanford u përpoq të gjurmojë origjinën e këtyre imazheve virale me përmbajtje humoristike, fenomen botëror dhe pjesë përbërëse e kulturës së internetit. Për ta bërë këtë, kërkuesit kryen një analizë në internet në shkallë të gjerë, që synonte të testonte hipotezat se në cilat komunitete filloi përhapja virale e imazheve.

Rezultatet e studimit, të publikuara në revistën “Proceedings of the Acm on human-computer interaction”, tregojnë se janë komunitetet mainstream, të cilët krijojnë meme-t që përhapen më shumë, duke e bërë internetin një gjenerues shumë të përqendruar të produkteve kulturore.

 

Origjina e meme-ve

Të bësh një përkufizim të meme-ve nuk është e thjeshtë – janë imazhe me mbivendosje teksti, që përcjellin mesazhe me përmbajtje humoristike te një publik specifik, të cilat qarkullojnë online dhe bëhen virale me shpejtësi. Megjithatë, me siguri, ky shpjegim nuk është i plotë.

Memet janë pjesë përbërëse e kulturës së internetit, një fenomen botëror dhe i përhapur. Gjithnjë e më shpesh ndodh që memet përdoren, për shembull, edhe në fushata marketingu apo angazhimi social.

Studiuesit që merren me narrativat e mediave besojnë se inovacionet kulturore shpesh lindin në komunitetet periferike dhe më pas përhapen në një moment të dytë, deri në një bërthamë qendrore (komunitetet mainstream). Shkencat e sjelljes argumentojnë se komunitetet që lidhin periferitë dhe bërthamën qendrore priren veçanërisht të krijojnë produkte kulturore me ndikim.

Në internet, gjërat ndërlikohen më tej. Për të pasur një tablo të plotë të çështjes duhet marrë në konsideratë i gjithë ekosistemi online, i përbërë nga platforma të panumërta (për shembull rrjete sociale si Twitter, apo agreguesi i lajmeve dhe forumi i diskutimit Reddit). Analizimi i tyre më vete do të ofronte një vizion të pjesshëm dhe jo të plotë të botës kulturore në internet.

 

Një gjenerues i përqendruar përmbajtjesh

Për këtë arsye, studiuesit, të cilët më parë u ishin përkushtuar hulumtimit të platformave individuale në internet, kryen një analizë në shkallë të gjerë në internet, duke kërkuar burimet nga e kanë origjinën meme-t dhe mënyrën si përhapen ato. Për një muaj, ekipi i kërkuesve hulumtoi gjithë komunitetet online të indeksueshme që ndajnë imazhe me mbivendosje teksti në gjuhën angleze.

Më pas, ata përdorën teknologji “computer vision” për të gjurmuar rrugëtimin e çdo imazhi, deri në origjinën e tij. Në këtë mënyrë, kërkuesit identifikuan se kur është publikuar për herë të parë meme dhe sa herë është shpërndarë. Nga ky proces doli se komunitetet qendrore gjenerojnë meme-t më të përhapura. Në veçanti, kërkuesit zbuluan se pjesa më e madhe e imazheve publikohej në fillim në Reddit, të cilat përhapeshin më pas në platforma të tjera.

Kjo e bën procesin e krijimit dhe shpërndarjes së meme-ve jashtëzakonisht të përqendruar. Rezultatet e gjetura ofrojnë njohuri të reja për kërkimin në mediat online, nga të cilat mund të lindin teori të reja mbi përhapjen e përmbajtjes virale.

“Studimi ynë i ardhshëm do të jetë mbi krijimin e meme-ve, por mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që ne të marrim parasysh, nëse jemi të kënaqur me përqendrimin e kulturës së internetit. Duke publikuar në Reddit, TikTok e kështu me radhë, arrihet një publik i gjerë, por nënkomunitetet luajnë rol të rëndësishëm në kulturën tonë dhe nuk është e qartë nëse mediat sociale i mbështesin ato ashtu siç duhet”.

 

“Analiza jonë tregon se disa meme mund ende të vijnë nga komunitete periferike, por çdo ditë, pjesa më e madhe e përmbajtjeve që shohim publikohet së pari në një platformë mainstream”, – thotë Bernstein

 

/ Wired

You may also like