Si e fshehi zyra e Kurtit zhgënjimin e Norvegjisë për moslejimin e zgjedhjeve serbe

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës dje u nis me një grup ministrash drejt Norvegjisë, në një vizitë zyrtare sipas zyrës së kryeministrit, derisa sot zhvilloi takim me homologun e tij Jonas Gahr Store.

Në takim, siç e do zakoni të dy kryeministrat dolën me komunikatë për media nga zyret e tyre, por u vërejtën ca dallime.

Njoftimi që u lëshua nga Qeveria e Norvegjisë, tregon se dy kryeministrat folën për dialogun Kosovë-Serbi, derisa kryeministri norvegjez shprehu edhe zhgënjim për moslejimin e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.

“Çështja mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut të drejtuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të implementohen dhe të dyja palët duhet të frenohen nga veprimet që do të dëmtonin besimin e ndërsjellë. Për këtë arsye shfrytëzova rastin gjatë takimit për të shprehur zhgënjimin tim se Kosova nuk po lejon organizimin e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në mënyrën e ngjashme siç ishin organizuar zgjedhjet në të kaluarën”, thuhet në komunikatë nga zyra e kryeministrit norvegjez.

E ishte pikërisht kjo pjesë për zhgënjimin nga Norvegjia, që u hoq nga zyra e kryeministrit Albin Kurti.

Njoftimi nga kjo zyre ishte edhe më i gjatë, por askund nuk përmendej zhgënjimi i kryeministrit Store.

“Kosova e sheh Norvegjinë si shembull se si mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe me prosperitet duke investuar në edukim, mirëqenie sociale dhe tash në ekonomi të gjelbër, u shpreh kryeministri Kurti. Të tre këto janë prioritete edhe të Qeverisë sonë, tha kryeministri dhe duke marrë parasysh edhe indikatorët pozitivë në ekonomi, por edhe ata në demokraci, është koha që të thellojmë bashkëpunimin dhe rrisim lidhjet tona ekonomike, shtoi më tej kryeministri Kurti. Kryeministri Jonas Gahr Støre i uroi Kryeministrit Kurti mirëseardhje në Norvegji, tha se është i interesuar në reformat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar të ndërmarrë dhe është i gatshëm që të rrisë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve. Ai po ashtu shprehu interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë Qeveria e Kosovës. Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, u tha në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kurtit, duke lënë të kuptohet se askund nuk ishte përmendur ajo që u tha nga Norvegjia për zgjedhjet serbe, shkruan Gazeta Metro.

Kujtojmë se pakënaqësi për moslejimin e zgjedhejve serbe kanë shprehur shtetet e QUINT, ku u tha se nuk është vendim i duhur pasi ‘’fqinjësia e mirë është vizion i BE’së’’, dhe se Kosova në këtë mënyrë nuk po e ndjek rrugëtimin evropian.

You may also like