Si do të ndikohen kompanitë e teknologjisë që pezullojnë shitjet në Rusi?

by admin
Spread the love
Në një kontekst më të gjerë, Rusia dhe Ukraina së bashku, megjithëse janë vende të mëdha, nuk përbëjnë një përqindje të lartë të shpenzimeve të përgjithshme për teknologjinë në rang global

 

Në tre javët e fundit, që nga momenti kur Rusia sulmoi Ukrainën, ka pasur plot raste të kompanive në fushën teknologjisë që u bënë bashkë me bizneset e tjera nga industri të ndryshme për të pezulluar shitjet në Rusi.

Kjo përgjigje mori përmasa shumë të mëdha, si dhe dërgon një mesazh të qartë se këto kompani nuk do të vazhdojnë të bëjnë biznes, si zakonisht në Rusi. Por, cili është ndikimi i vërtetë ekonomik që do të kenë masat për këto kompani?

Në një raport të publikuar para disa ditësh, IDC theksoi se, me Ukrainën që gjendet nën sulm dhe me sanksionet e vazhdueshme që po vendosen ndaj Rusisë, kompanitë e teknologjisë që zhvillojnë aktivitetin në këtë pjesë të botës do të ndikohen në mënyrë të pashmangshme.

“Konflikti ka pezulluar aktivitetin e bizneseve në Ukrainë, ndërkohë që ekonomia ruse po ndien efektet e para të sanksioneve të Perëndimit. Kjo do të ketë ndikim të madh te shpenzimet në fushën e teknologjisë për të dyja këto vende, me tkurrjen e kërkesës në tregun vendas që pritet të jetë dyshifrore në vitin 2022” – shkroi IDC.

Sidoqoftë, në një kontekst më të gjerë, Rusia dhe Ukraina së bashku, megjithëse janë vende të mëdha, nuk përbëjnë një përqindje të lartë të shpenzimeve të përgjithshme për teknologjinë në rang global. Në fakt, IDC raporton se të dyja vendet përbëjnë vetëm 5.5% të shpenzimeve për teknologjinë në Europë dhe vetëm 1% të shpenzimeve për teknologjinë në botë.

Canalys tha se kompanitë e teknologjisë që nuk i kanë pezulluar ende shitjet në Rusi, gjenden përballë presionit për ta bërë këtë. “Accenture, Apple, Cisco, Dell, HP, HPE, Oracle, SAP dhe TSMC (gjysmëpërçuesit) janë ndër aktorët kryesorë në fushën e teknologjisë që formojnë një listë në rritje të kompanive ndërkombëtare (në të gjithë sektorët) që po ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Rusinë.

Kompanitë që nuk e bëjnë këtë, do të jenë gjithnjë e më pak të sinkronizuara me ndjeshmërinë e publikut” – shkruante kompania në një raport të publikuar në fillim të këtij muaji.

Sipas Canalys, Rusia përbën 20% të tregut europian të smartphone-ve dhe 8% të tregut të kompjuterëve. Apple kryeson me 17% të tregut të kompjuterëve në Rusi, së bashku me Lenovo. HP renditet pak më mbrapa, duke zënë 15% të tregut.

Këto shifra përbëjnë rreth 2% të shitjeve të përgjithshme të këtyre kompanive, sipas Canalys. Të tre liderët e tregut kanë pezulluar shitjet në Rusi. Vlen të përmendet se, sipas raportimeve të ndryshme, kompania kineze Lenovo, është përballë presionit nga qeveria e Kinës për ta anuluar vendimin e pezullimit të shitjeve në Rusi.

Për sa u përket smartphone-ve, prodhuesi kinez Xiaomi kryeson tregun me 31%, i ndjekur nga Samsung me 27% dhe Apple në vendin e tretë, me 11%. Kjo përbën 2% të shitjeve të përgjithshme të Apple dhe 4% të shitjeve të Samsung. Apple dhe Samsung kanë pezulluar gjithashtu shitjet në Rusi.

Canalys spekuloi se rusët mund të drejtoheshin nga teknologjia kineze për të zgjidhur këtë problem. “Pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi në fushën e teknologjisë, pritet që Rusia të orientohet më shumë nga Kina (e cila ka deklaruar se është kundër vendosjes së sanksioneve), veçanërisht tani që qeveria ruse po nxiton të zëvendësojë markat perëndimore dhe të ruajë aksesin te teknologjitë kryesore.

Fituesit nga kjo situatë ka të ngjarë të jenë kompanitë kineze si Huawei, të cilat kanë qenë edhe vetë viktima të embargove tregtare nga Perëndimi” – shkroi Canalys.

Megjithatë, siç tregon rasti i Lenovo-s, situata është më e ndërlikuar për kompanitë kineze që kanë marrëdhënie të rëndësishme tregtare me klientët në Perëndim. Sa për tre kompanitë e mëdha në fushën e teknologjisë cloud – Amazon, Microsoft dhe Google, John Dinsdale, analist në Synergy Research, një firmë që gjurmon tregun e cloud, tha se Rusia përbën vetëm 1% të biznesit të përgjithshëm të këtyre kompanive.

“Nga këndvështrimi i AWS, Microsoft Azure dhe Google Cloud, ndërprerja e biznesit me Rusinë do të kishte ndikim shumë të vogël” – tha ai. / Tech Crunch

 

You may also like