Si do të duket e ardhmja e stacioneve të rikarikimit për makinat elektrike –

by admin
Spread the love
Një konkurs i ri dizajni u përpoq të paraqiste se si mund të duket e ardhmja e rikarikimit të automjeteve elektrike.

 

Pak ditë më parë, gazeta Electric Autonomy shpalli fituesit e konkursit ndërkombëtar që kishte si qëllim të rikonceptonte stacionet e rikarikimit të automjeteve elektrike. Parkland, një kompani e shitjes me pakicë të karburantit dhe sponsori kryesor i konkursit, tha se po planifikonte të zbatonte projektin fitues në të paktën një stacion rikarikimi në British Columbia.

Tre projektet kryesore i konceptojnë stacionet e rikarikimit si destinacione, jo thjesht si vendndalime përgjatë rrugës. James Silvester, arkitekti kryesor në JAS Group dhe fituesi i konkursit, tha në një deklaratë për shtyp se ai e krijoi projektin si një hapësirë ​​”për t’u shijuar” dhe jo “thjesht një proces gjatë udhëtimit”.

Dizajni i Silvester ka një formë të zgjatur dhe përfshin disa elemente që e bëjnë projektin të qëndrueshëm, si për shembull grumbullimi i ujit të shiut dhe përdorimi i energjisë diellore. Projekti mbështetet shumë te përdorimi i lëndës së drurit – si shenjë për një nga resurset kryesore të Kanadasë. Pjerrësia e çatisë është projektuar duke marrë parasysh klimën e ashpër kanadeze, ndërsa dritat të cilat punojnë me energji diellore e bëjnë stacionin të lehtë për t’u parë nga rruga.

Dizajni ka si qëllim t’u mundësojë shoferëve të pushojnë dhe të “rikarikohen” së bashku me automjetin, tha Silvester. Stacioni i rikarikimit do të përfshijë një qendër fitnesi, kopsht, galeri arti dhe një treg fermerësh. Ian White, nënkryetari i marketingut strategjik dhe inovacionit në Parkland, tha se qëllimi i konkursit të projektimit ishte të krijonte një dëshirë te drejtuesit e automjeteve që ta shndërrojnë procesin e lodhshëm nga 20 deri në 40 minuta të rikarikimit të mjetit, në një përvojë gjithëpërfshirëse dhe të këndshme.

Projektet e vlerësuara në vendin e dytë dhe të tretë kishin gjithashtu në fokus qëndrueshmërinë, si dhe ofrimin e argëtimit dhe të hapësirave të përbashkëta në stacionet e rikarikimit.

Projekti i renditur në vendin e dytë u krijua nga Selçuk Kişmir, arkitekt nga Stambolli, Turqia.

Ky stacion rikarikimi ka një dizajn rrethor dhe përfshin hapësira për shoferët për të punuar, si dhe për të luajtur në mjediset e jashtme me fëmijët.

Fituesi i vendit të tretë, Pavel Babiienko, arkitekt nga Berlini, tha se donte të krijonte një mjedis ku njerëzit të mund të pushonin dhe të shoqëroheshin me drejtuesit e tjerë të automjeteve elektrike, si dhe të kishin një hapësirë ​​për të punuar dhe për të studiuar. Projekti i këtij stacioni përfshin një zonë lojërash në natyrë, si dhe një kafene.

Infrastruktura e stacioneve të rikarikimit përbën një pengesë të madhe për përhapjen në masë të automjeteve elektrike. Dominick Reuter nga Insider raportoi se një në pesë zotërues të automjeteve elektrike u kthye sërish te përdorimi makinave me benzinë, sepse rikarikimi i tyre ishte shumë i vështirë.

Gjatë verës, reporteri i CNBC, Brian Sullivan dhe redaktori i Axios, Dan Primack, zbuluan disa nga problemet me të cilat mund të përballen drejtuesit e automjeteve elektrike në rrugë – nga nevoja emergjente për stacione rikarikimi, deri te pritja 40 minuta në mot shumë të nxehtë për rikarikimin e makinës. Të dy shoferët arritën në përfundimin se mënyra më e mirë për t’i ndihmuar drejtuesit e mjeteve që të kalojnë te përdorimi i makinave elektrike do të ishte shndërrimi i stacioneve të rikarikimit në destinacione.

“Jepuni njerëzve një vend për të ndaluar, për të bërë Pazar – tha Sullivan. – Jepuni atyre mundësinë për të bërë diçka”. Duke rikonceptuar stacionet e rikarikimit në vend të dyfishimit të stacioneve të karburantit, kompanitë e automjeteve elektrike do të ndiqnin shembullin e Tesla-s.

Disa stacione rikarikimi të Tesla-s përfshijnë hapësira me bar-kafe, makineta për blerje dhe produkte të Tesla-s. CEO i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka menduar madje që të ndërtojë një stacion rikarikimi me një restorant pranë tij. / Business Insider

 

You may also like