Si do të bëhet “pazari” me votat në Tetovë? Koalicionet në dilema, Teutën apo Bilallin?

by admin
Spread the love

Beteja në raundin e dytë për Tetovën do të jetë e ashpër pasi që do të garojnë kryetarja aktuale Teuta Arifi nga radhët e BDI-së dhe Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa. Rezultatet në rrethin e parë nxorën Teuta Arifin fituese me 11.138 vota, ndërsa Bilall Kasami i lëvizjes Besa ka marrë 10.496 vota. Diferenca është vetëm 642 vota. Mbrëmë veçmë disa parti dolën me qëndrime se kë do të përkrahin.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në Tetovë arritën të marrin 6.165 vota, që mund të jenë vendimtare në rrethin e dytë. Elmi Aziri nga kjo parti në Click Plus tha se koalicioni opozitar, janë të gatshëm të përkrahin Kasamin në rrethin e dytë:

“Natyrisht, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si bllok opozitar ne jemi të gatshëm që ta përkrahim Bilall Kasamin në komunën e Tetovës”.

Por me këtë nuk pajtohen nga Alternativa. Zëdhënësi Orhan Murtezani mbrëmë ka reaguar duke thënë se Alternativa nuk e mbështet Kasamin në Tetovë.

“I nderuar Fatmir, Shfrytëzoj rastin të bëj të ditur që Alternativa nuk e mbështetë Bilall Kasamin në Tetovë”.

Sot në një komunikimin përmes mesazhit, anëtari i kryesisë qendrore të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi, u shpreh se “nuk kanë çfarë thonë pas asaj që e ka thënë Orhan Murtezani mbrëmë”.

Për të njëjtën çështje e pyetëm edhe anëtarin tjetër të Alternativës, Skender Rexhepin – Zejdi

“Për bashkëpunimet eventuale dhe përkrahjet në rrethin e dyte duhet të vendosin organet kompetente në të dyja partitë, por ajo që është e rëndësishme është se të gjitha të këqijat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë si pasojë e keqmenaxhimit të pushtetit qendror dhe atë lokal nga ana e BDI-se, andaj sa me herët kjo e keqe te largohet nga vendbanimet shqiptare aq me mire do te jete për shqiptaret.”

Po kë do ta përkrah Zaev në Tetovë? LSDM në Tetovë ka marrë 2.373 vota ndërsa PDSH 3.840. E pyetëm liderin e socialdemokratëve Zoran Zaev se cilin kandidat do ta përkrahin në raundin e dytë ndërsa ai nuk u përgjigj. Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa thotë se pret që LSDM t’i lë vetë qytetarët të zgjedhin se për kë do të votojnë. Ndërsa Arbër Ademi nga BDI thotë LSDM nuk ka shumë vota për të bërë ndonjë diferencë për të fituar.

“2500 vota kandidati i LSDM-së i ka marrë ne Tetovë. Pra nuk po flasim për një numër të madh të votash për të biseduar se ku do të anojnë këta vota që të bëhet ndonjë diferencë”.

Që në muajin Korrik Ahmeti dhe Zaev bënë marrëveshje për koalicion në zgjedhjet lokale. Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që të dyja partitë të bashkëpunojnë dhe të japin mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë. Në këtë koalicion qysh në zgjedhjet parlamentare është edhe Lëvizja Besa. Se si do të bëhet pazari i votave mes partive do të mbetet të shihet.

Lajme interesante

You may also like