“Shumica parlamentare”, Zaev zhvillon bisedë telefonike me Gashin

by admin
Spread the love

Kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar bisedë telefonike me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi. Informacionin për Alsat e konfirmojnë burime të LSDM-së nga ku thonë se kreu socialdemokrat i ka ofruar kreut të Alternativës që të zgjedh ditën kur duan të ulen dhe të bisedojnë për zgjerimin e shumicës parlamentare.

Kërkuam qëndrimin e Gashit për të konfirmuar bisedën telefonike dhe takimin e mundshëm, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje konkrete. Ndërkohë Alternativa ka mbledhur kryesinë e ngushtë për të diskutuar hapat e mëtejmë si subjekt politik.

Jo zyrtarisht, Alternativa po shqyrton mundësinë për të qenë pjesë e pushtetit, por një informacion të tillë as nuk e konfirmojnë dhe as nuk e përgënjeshtrojnë nga partia e Afrim Gashit. Ky i fundit në paraqitjen e të premtes në Alsat tha se janë të gatshëm të negociojmë për Qeveri derisa partisë së tij i bëhet ofertë konkrete. Madje Gashi ka potencuar se ofertën për t’u bërë pjesë e shumicës do ta shpalos edhe para partnerit të koalicionit me të cilin vazhdon bashkëpunimi.

“Koalicioni ynë me Aleancën ndonëse formalisht është konsumuar pas zgjedhjeve lokale, realisht nuk ka asnjë ndryshim. Ne vazhdojmë të komunikojmë dhe bashkërendojmë veprimet tona politike opozitare”, njoftojnë nga Alternativa.

Burime të Alsat bëjnë të ditur se Alternativës do t’i ofrohet pakëti Qeveritar i Lëvizjes Besa, ministria e Bujqësisë, dhe dy zëvendësministra, ai i kulturës dhe i arsimit.

Në kuadër të pushtetit qendror, Alternativës do t’i ofrohen edhe drejtoritë me të cilat për momentin udhëheqë partia e Bilall Kasamit. Negociatat për zgjerimin e shumicës parlamentare do të zhvillohen në javën që pason dhe fillimin e javës së ardhshme, derisa në Kuvend zhvillohet debati për buxhetin e vitit 2022.

You may also like