Shumë reagime pse fëmijët në Kuvend mbajtën fotot e liderëve, Zyra e Konjufcës thotë se nuk e ka ditur

by admin
Spread the love

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, ka reaguar pas publikimit të fotografie të disa nxënësve në hollin e Kuvendit, të cilët mbajnë në duar fotografitë e kryeparlamentarit dhe Presidentes Vjosa Osmani.

Kërçeli ka shkruar në Facebook se vizita e nxënësve në Kuvend është një praktikë e moçme, por ai thotë se zyra e Kryeparlamentarit është kundër praktikës që fëmijët të mbajnë në duar fotografi të figurave politike.

“Në këtë foto po shihen fëmijët duke mbajtur fotografinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes. Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike”, ka shkruar Kërçeli.

Kërçeli deklaron se për këtë veprim janë mësimdhënësit dhe se Kuvendi nuk ka qenë në dijeni për këtë rast.

“Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar Kërçeli.

Ndryshe, fotoja që po qarkullon në rrjetet sociale nuk dihet se nga kush është publikuar, por ka ngjallur reagime të shumta.

Analisti Imer Mushkolaj ka shpërndarë fotografinë në Facebook, ku e ka përmendur rastin e profesorit nga Vushtrria i cili kishte publikuar në rrjetin social TikTok video duke vallëzuar e që ishte kritikuar për gjestin e tij.

“E shajshi profën e Vushtrrisë. Ndërkohë, qe vepra e një mësuesi tjetër, në kulmin e budallakisë. Nxënës me foto të Vjosës dhe Glaukut në duar”, ka shkruar Mushkolaj.

Gazetari Shkodran Hoti e ka shpërndarë të njëjtën fotografi, derisa ka shkruar se po të keqpërdorej një fëmijë nga mediat, do të reagonin ‘i madh e i vogël’, ndërkaq në këtë rast, sipas tij, po keqpërdoret një klasë e tërë.

“Me pasë keqpërdorë mediat edhe joqëllimshëm një fëmijë, i madh e i vogël nuk do t’i ndalte sharjet. Shikojeni se si keqpërdoret një klasë e tërë”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq gazetari Bekim Kabashi ka shkruar se nuk beson që kjo të jetë vepër e Presidencës apo e Kuvendit, por e ndonjë mësuesi.

“Pionierët e shokut Tito. Megjithatë, s’po besoj që është vepër e Presidencës apo Kuvendit, por e ndonjë mësuesi, e që duhet me na u dhimtë këta fëmijë që edukimi i tyre është në dorë të tij”, ka shkruar Kabashi.

You may also like