Shuhen shpresat për vendin e parë, Shqipëria zhgënjen dhe mposhtet në Izrael

by admin
Spread the love

Shuhen ëndrrat e Kombëtares shqiptare për të marrë kreun e Grupit B pasi është mposhtur me rezultatin 2-1 nga Izraeli. Një ndeshje jo shumë e mirë nga kuqezinjtë që megjithatë ishin në lojë deri në minutat e fundit, përpara se goli i Baribo të shuante totalisht shpresat.

Ndeshja nis mirë për Shqipërinë që ka një shans të artë për të prishur ekuilibrat me anë të Armando Brojës. Sulmuesi i Chelsea megjithatë nuk ia del dot të mposht portierin kundërshtar duke i lënë rrjetat ende të paprekura. Provon sërish Shqipëria, por pa shumë sukses.

Më pas janë Izraelitët që kërkojnë të kontrollojnë ndeshjen dhe rrisin presionin. Strategjia e vendasve funksionon me Shqipërinë që gabon shumë në mesin e fushës.

Megjithatë, është sërish Broja që ka një tjetër shans të mirë shënimi me një aksion personal, por goditja e tij shkon lehtë në duart e portierit kundërshtar. Me rezultatin 0-0 mbyllet edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria e nis e përgjumur dhe ndëshkohet që në sekondat e para. Është Ëeissman që mposht Thomas Stakoshën dhe çon topin në rrjetë. Gjithçka më e vështirë për kuqezinjtë që megjithatë, provojnë të reagojnë.

E bën disi më të lehtë edhe trajneri kundërshtar që tërheq ekipin për të mbrojtur rezultatin. Cikalleshi ka një shans me kokë, ndërsa më pas është radha e Ylber Ramadanit për të rrezikuar. Një kombinim i bukur me Veselin, nxjerr Ramadanin në zonë, por goditja e tij e fortë ndalet nga një mrekulli e portierit kundërshtar.

Provon sërish Shqipëria, por sulmuesit nuk kuptohen si duhet. Një pasim i Hysaj në zonë gjen Uzunin, por ky i fundit lë topin për Brojan që nuk është në pozicionin e duhur. Topi kalon gjithë pasqyrën e portës dhe në fund aksioni nuk finalizohet.

Goli i barazimit megjithatë vjen në minutën e 88 nga Myrto Uzuni. Sulmuesi beratas realizon një supergolë me një goditje mjaft të bukur që gjen trekëndëshin e portës kundërshtare. Rritet euforia te kombëtarja jonë dhe hidhet në sulm për të gjetur golin e avantazhit.

Shpresat shuhen kur Enea Mihaj bën një gabim në zonë dhe nuk largon si duhet topin. Aty përfiton Baribo që çon sërish topin në rrjetë për Izrealit. Ky është edhe goli që vulos rezultatin final të takimit me Izrealin që ngjitet në Ligën A pasi siguron matematikisht vendin e parë në grupin B. /oversport.tv

You may also like