Shtëpia e Bardhë dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 7 shtator /ATSH-DPA/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë me forcë sulmin kibernetik të Iranit ndaj aleatit tonë në NATO, Shqipërisë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbahet përgjegjës për këtë incident kibernetik të paprecedentë, shkruhet në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

”SHBA do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike. Për javë të tëra, qeveria amerikane ka punuar në terren me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare. Ne arritëm në përfundimin se qeveria iraniane kreu këtë sulm kibernetik të pamatur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet e mëvonshme të hakerave dhe rrjedhjeve’’, thuhet në deklaratë.

“Sjellja e Iranit injoron normat për sjelljen e përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin një normë për të përmbajtur nga dëmtimi i infrastrukturave kritike që ofrojnë shërbime për publikun. Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të sulmuara si infrastrukturë kritike”, shkruan Shtëpia e Bardhë.

“Aktiviteti keqdashës kibernetik i një shteti që dëmton qëllimisht infrastrukturën ose përndryshe dëmton përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun, mund të ketë efekte negative në nivel kombëtar, rajonal dhe global paraqet rrezik të lartë të dëmtimit të popullsisë, dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt’’, thuhet në deklaratë.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet korrigjuese afatgjata të Shqipërisë dhe të ftojmë partnerët dhe aleatët që të bashkohen me ne për t’i bërë përgjegjës aktorët kibernetikë keqdashës dhe për të ndërtuar një të ardhme dixhitale të sigurtë dhe elastike”, përfundon deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

Këshilli i Ministrave vendosi sot me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj aktit të sulmit të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në muajin korrik. /os/

.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like