​Shtatë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

by admin
Spread the love

Si sot para shtatë vitesh Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s. FFK-ja mori 141 vota për anëtarësim, nga 164 votat në Kongresin e 66-të të FIFA-s që u mbajt në Meksikë.

Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

Në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s, Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.

Më pas një fjalim e mbajti edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

Në fund të fjalimit të tij Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të marrë votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA.

Pas Vokrrit delegatëve iu drejtua nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por pas përfundimit të fjalimit të tij presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino theksoi se Kongresi është trupi suprem që vendos për çështjen e Kosovës dhe kërkoi që të kalohet në votimin elektronik, ku Kosova mori 141 vota.

Në fjalimin e tij para Kongresit pas pranimit Vokrri falënderoi presidentin e FIFA-s, zëvendëpresidentët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

You may also like