Shtanga shqiptare zhvillon Asamblenë – Bota Sot

by admin
Spread the love

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar dje asamblenë e përgjithshme vjetore. Mbledhja u mbajt në Durrës, në të cilën morën pjesë drejtuesit e FSHP-së, përfaqësuesit e klubeve, ndërsa asistuan gjithashtu edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

Fjalimin hapës e mbajti presidenti i federatës, Elez Gjoza, i cili bëri edhe një prezantim të veprimtarive që federate ka pasur gjatë vitit 2022, një vit i ngjeshur me evenimente të rëndësishme edhe në rang ndërkombëtar, duke nisur nga Kongresi Zgjedhor i Federatës Botërore që u mbajt në Tiranë, për të vijuar me Kampionatin Europian për të rritur që u zhvillua po në kryeqytet, apo edhe Europianin e të rinjve në Durrës, duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e peshëngritjes.

Gjithashtu u shpalosën objektivat edhe për vitin e ardhshëm, ku Shqipëria do të presë për herë të parë Botërorin e të rinjve. Ndërkohë për sa i përket rezultateve, shtangisti më i suksesshëm kuqezi gjatë këtij viti ka qenë Erkand Qerimaj, kampion Europe dhe medalist i argjendtë në Lojërat Mesdhetare. Ndërsa te moshat ka spikatur talenti Ertjan Kofsha me tripletë medaljesh të arta Europiane apo bronz në Botëror.

Gjithashtu kanë shkëlqyer edhe Enkileda Carja si dhe Arjeta Rade me medalje bronzi në Europë. Por 2022-shi ka shënuar edhe rikthimin e dopingut në shtangën shqiptare, teksa Evangjelia Veli rezultoi pozitive me doping në Kampionatin Europian, event ku fitoi dy medalje ari dhe një argjendi, të cilat më pas iu revokuan, duke sjellë edhe skualifikimin e saj.

You may also like