Shqiptari vrau 44-vjeçarin grek, dëshmia prekëse e nënës: E vranë ditën që ishte pagëzuar

by admin
Spread the love

“Nuk e dija që arma kishte plumba”, kështu është shprehur para gjykatës 27-vjeçari shqiptar që akuzohet për vrasjen e një 44-vjeçari në Greqi.

Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit 2021,  kur Marios, ndodhej në dyqan në momentin kur një grabitës i maskuar dhe i veshur me doreza hyri brenda dhe e kërcënoi me armë.

Siç është regjistruar dhe nga kamerat e sigurisë së dyqanit, të publikuara nga media greke “protothema.gr”, dyshohet se viktima ka treguar rezistencë dhe për pasojë 27-vjeçari shqiptar e ka qëlluar në kokë.

Ndërkohë, dyshohet se bashkëpunëtor në ngjarje ka qenë dhe një 37-vjeçar grek, i cili po e priste jashtë dyqanit.

Mësohet se, 27-vjeçari shqiptar ka deklaruar fillimisht se nuk kishte ndërmend ta vriste dhe se nuk ishte nisur për ta bërë këtë. I riu shqiptar pretendoi se nuk e dinte se arma që mbante ishte e mbushur me plumba.

“Unë nuk kam shkuar për të vrarë, kam shkuar vetëm për të grabitur. Isha i dehur dhe i droguar”, tha ai.

Ndërkohë, greku u shpreh është i pafajshëm.

Sakaq, tronditëse ka qenë dëshmia e nënës së viktimës 44-vjeçare, e cila ka rrëfyer e përlotur momentin kur i thanë se djali i saj i vetëm ishte plagosur rëndë dhe se si mësoi se ai kishte ndërruar jetë.

“Marios ishte djali im i vetëm. 15 vjet më parë humba burrin tim. Fëmija im ishte mbështetja ime. Që kur burri im u largua në 2004, ai më është betuar se nuk do ta lë mamin. Ishte punëtor, i shkolluar. Ai punoi në dyqan për rreth 5 muaj, në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Ai më thoshte se nuk i pëlqente turni i mëngjesit dhe se do të shkonte në turnin e mbrëmjes që ka më shumë para që të jetonim më mirë. I thashë fëmijë, mos shko në mbrëmje”, ka dëshmuar fillimisht në gjykatë mamaja e viktimës.

Më pas mamaja e viktimës Tula, iu referua momentit kur pronari i biznesit e telefonoi për t’i thënë se djali i saj ishte plagosur.

“Kur u ngrita në orën 06.30 më telefonoi shefi dhe më pyeti nëse isha mirë. E pyeta se çfarë ndodhi dhe më tha që Marion e kishin rrahur. Ai më tha se është keq dhe unë kërkova të flisja me një oficer policie për të parë nëse fëmija im është mirë. Polici më tha se është në gjendje shumë të keqe dhe se po shkonte me ambulancë në spital. Në atë moment rashë në dysheme, duke u dridhur dhe fillova të bërtas. Vëllai më mori nga spitali dhe më tha të merrja një taksi dhe të shkoja shpejt, sa më shpejt. Takova një fqinj rastësisht dhe i kërkova të më çonte në spital për të arritur fëmijën tim.” deklaroi ajo.

Nëna e 44-vjeçarit hipi në një taksi dhe i ka kërkuar shoferit që të shkojë sa më shpejt në spital dhe madje gjatë rrugës kanë dashur të kërkojnë ndihmën e policisë për t’i hapur rrugën. Megjithatë, ajo nuk arriti ta shihte fëmijën e saj të gjallë.

“I thashë shoferit të ndizte radion dhe aty mësova se fëmija im kishte ndërruar jetë. Fillova të bërtas “fëmija im, fëmija im”, që ishte fëmija më i mirë, mbështetja ime. Më 6 nëntor më vranë fëmijën, më 6 nëntor e kisha pagëzuar”, dëshmoi nëna e 44-vjeçarit.

Gjatë gjithë dëshmisë së tij, 27-vjeçari shqiptar tentoi të fshihte fytyrën me duar./Opinion.al

 

You may also like