Shqiptarët duhet të jenë syçelë, të përgatitur për çdo situatë

by admin
Spread the love

Ragmi Mustafa, kryetar i PDSH-së nga Lugina e Preshevës, foli në Edicionin Special të Klan Kosovës për situatën në Ukrainë dhe pasojat që ajo mund të ketë në Preshevë dhe më gjerë.

“Këto ngjarje që po ndodhin në Ukrainë dhe kjo që po bën Rusia ndaj një shteti demokratik, siç është Ukraina, natyrisht se e shqetëson çdo qytetar të ndershëm kudo në botë, por edhe shqiptarët në veçanti”, tha Mustafa.

“Sjellja e Serbisë dhe deklaratat e Vuçiqit janë më shumë se kontroverse dhe demagogjike. Ai, pas mbledhjes së Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, doli me qëndrime fund e krye kontroverse sepse duan të jenë mirë me agresorin, siç është Rusia, por duan të jenë mirë edhe me viktimën, që është Ukraina. Nuk mund të jesh i mirë edhe me agresorin edhe me viktimën”, u shpreh tutje kryetari i PDSH-së.

Mustafa tha se deklarata e Vuçiqit në mbështetje të Ukrainës mund të ketë lidhje me Kosovën.

“Ai mund ta ketë bërë një deklaratë të tillë për të nxitur vendet e Evropës demokratike dhe vendet që e njohin Kosovën, të njohin ‘integritetin territorial të Serbisë, Kosovën’. Ky është një iluzion i presidentit Vuçiq dhe i qeverisë serbe dhe pretendim i tyre për t’u rikthyer në territorin e Republikës së Kosovës, që nuk guxon të ndodhë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë, por kjo do të mbetet në iluzionin e tij, ose këtë e përdorë në prag të zgjedhjeve”, tha Mustafa.

“Janë me një prapavijë të rrezikshme, për të cilën shqiptarët duhet të jenë syçelë, të përgatitur për çdo situatë, e cila mund të jetë një shkas tjetër i Serbisë për një aventurë të re, e cila nuk guxon në asnjë mënyrë të ndodhë”.

You may also like