Shqipëria U-17, Bulku: Shkojmë në Elite Round me synimin për të marrë sa më shumë pikë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Shqipëria U-17 arriti një sukses të jashtëzakonshëm pak muaj më parë, duke u kualifikuar për në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023, ku marrin pjesë 32 ekipet më të mira të kontinentit për këtë grup-moshë. Sakaq, një javë më parë u hodh edhe shorti nga UEFA, që e vendosi Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në muajin mars 2023.

Duke folur për shortin, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, thotë se niveli i vështirësisë në këtë fazë të Europianit është shumë i lartë, por kuqezinjtë do të përgatiten mirë në mënyrë që të marrin rezultate pozitive dhe të provojnë shanset për të kaluar turin deri në fund.

Sipas rregullores së turneut, tetë skuadrat e renditura në vendin e parë të grupeve së bashku me shtatë vendet e dyta më të mira do të kualifikohen nga Elite Round për në finale.

“Nuk mund të them se shorti i Elite Round ishte i lehtë apo i vështirë, sepse dihet tashmë që të gjitha skuadrat e kualifikuara për në këtë fazë janë të fortë dhe niveli është i njëjtë, pavarësisht emrave të mëdhenj si Franca, Spanja, Holanda apo Italia, që kanë fituar edhe tituj kampion të Europës me moshat.

Franca në rastin konkret është kampionia në fuqi e grup-moshës U-17, pasi mundi Holandën në finale një vit më parë. Mendoj se ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin që të arrijmë të marrim sa më shumë pikë në këtë grup dhe të luajmë si të barabartë e çdo kundërshtar. Po të shikosh edhe grupin e eliminatoreve kishim ekipe si Suedia, Uellsi dhe Kroacia, ekipe shumë të forta. Përveç Francë, si Zvicra ashtu edhe Letonia janë dy skuadra ndaj të cilave ne do të punojmë fort për të marrë rezultate pozitive”, – shprehet Bulku në prononcimin e tij për Fshf.org.

Më tej, tekniku thekson se grupi i lojtarëve pritet të jetë i njëjtë për këtë fazë të turneut, ndërkohë që dera mbetet e hapur edhe për prurje të reja nëse do të ketë elemente që do të dalin nga seleksionimet dhe miqësoret e që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren. Sa i përket miqësoreve, ai konfirmon se do të ketë të paktën katër të tilla nga janari deri në mars, ndërsa pritet të konfirmohen edhe detajet e fundit me kundërshtarët eventualë.

“Mendoj që grupi i lojtarëve pak a shumë do të jetë i njëjtë, shpresojmë që të jenë të gjithë në gjendje të mirë fizike dhe duke shpresuar që të mund të kemi ndonjë element të ri cilësor që mund ta afrojmë për këto ndeshje. Me seleksionimet që po bëjmë gjatë kësaj periudhe urojmë të kemi edhe afrime të reja në ekip, por ndërkohë ne do të kemi mundësi të zhvillojmë edhe katër ndeshje miqësore para së të shkojmë Elite Round. Presim vetëm konfirmimet e fundit për të saktësuar datat dhe kundërshtarët që do kemi në miqësore Drejtoria Teknike e FSHF-së po punon në mënyrë intensive që të sigurojmë këto miqësore dhe t’i luajmë në Shqipëri, duke qenë se edhe ndeshjet zyrtare te Elite Round do të luhen po në vendin tonë”, – shton Bulku.

Sakaq, ai vlerëson edhe mbështetjen nga të gjitha strukturat e FSHF-së dhe Drejtoria Teknike për punën e jashtëzakonshme që është bërë gjatë gjithë kësaj kohe për të zbuluar, monitoruar dhe formuar një grup sa më të mirë lojtarësh, që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

“Është një arritje e jashtëzakonshme kualifikimi deri në këtë fazë për këtë grup-moshë, asgjë nuk është e rastësishme, duke qenë se ne punojmë gjatë gjithë kohës. Gjej rastin të falënderoj që të gjithë, sektorin teknik të trajnerëve dhe Drejtorinë Teknike, që kemi arritur të bëjmë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe të marrim këtë rezultat, duke u kualifikua për në Elite Round. Jemi një skuadër që i kemi lojtarët nga e gjithë bota, jo vetëm nga Shqipëria dhe Europa, por edhe nga SHBA-të. Kjo do të thotë se është një punë shumë e vështirë, por duhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjithë që të seleksionohen lojtarët më të mirë dhe të punohet fort me ta që të arrihet një rezultat pozitiv. Nuk është e lehtë që për aq kohë sa ti e ke në dispozicion skuadrën të formosh një grup dhe të arrish këto rezultate që kemi marrë të gjithë bashkë”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku në prononcimin e tij.

Ndeshjet e Grupit 8, ku bën pjesë edhe Shqipëria U-17, do të zhvillohen të gjitha në vendin tonë në datat 22, 25 dhe 28 mars 2023.

Shqipëria U-17 arriti të kualifikohej në këtë fazë pas ndeshjeve të turit eliminator të Europianit 2022/23 që u luajtën në muajin tetor në Kroaci, duke u renditur mes vendeve të treta më të mira të këtij raundi. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mbylli grupin 7 në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, ndërsa në krye të grupit u rendit Uellsi me 5 pikë.

 

You may also like