Shqipëria e vajzave mbyll turneun me ndeshjen kundër Estonisë

by admin
Spread the love

Shqipëria U-15 për vajza luajti këtë të enjte sfidën e fundit kundër Estonisë, e vlefshme për turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë, që u zhvillua në Shqipëri në datat 12-17 nëntor. Vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 7-0 në këtë ndeshje të tretë dhe të fundit të këtij turneu zhvillimor për këtë grupmoshë.

Sipas rregullores së UEFA-s, në sfidat e vlefshme për këtë turne, të gjitha vajzat e grumbulluara duhet të aktivizohen dhe të luajnë disa minuta, e për këtë arsye, në formacionin titullar kuqezi pati një rrotacion. Trajneri Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Lusia Krraba, Imelda Ara, Adile Sharka, Albina Tashi, Gelda Kadiolli, Orgesa Reci, Klausia Murataj,  Selena Mica, Besarda Guri, Erina Bajramaj, Besmira Fezollari.

Pjesa e parë e lojës nuk ishte në favorin e vajzave kuqezi, të cilat pësuan gjashtë gola. Ndërkaq, në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Krepi bëri disa zëvendësime në skuadrën e tij. Estonezet realizojnë edhe golin e shtatë, duke vulosur rezultatin në 7-0.

Pavarësisht rezultatit final, vlen të theksohet se ky ishte një turne shumë i vlefshëm për Kombëtaren shqiptare U-15 për vajza, që është një ekip i krijuar rishtazi. Turneu u zhvillua në datat 12, 14 dhe 17 nëntor në Shqipëri dhe të gjitha ndeshjet u zhvilluan në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Kombëtarja shqiptare arriti të sigurojë një fitore kundër Andorrës dhe dy humbje kundër Greqisë dhe Estonisë.

You may also like