Shpresojmë të shohim “tym të bardhë” në Ohër – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Fakti që dialogu është vendosur të transferohet nga Brukseli në  Maqedoninë e Veriut është mirënjohje për rolin e ri të Maqedonisë në politikën e jashtme – vlerësoi për Klan Maqedoni, Ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Sipas tij koncentrimi i komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur çështjen mes Serbisë dhe Kosovës është i jashtëzakonshëm. Osmani shtoi se inkurajon palët me shembullin e zgjidhjes së kontesteve të Maqedonisë me vendet fqinje.

“Shpresoj që vërtetë sot të shohim ‘tym të bardhë’nga Ohri për shkak se kjo do t’i jepte një mesazh gjithë botës se rajoni përfunimisht ka marrë drejtimin e duhur drejt BE-së”, tha Osmani.

Duke folur për rolin e Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, Osmani vuri theksin në drejtimin e tre organizatave të fuqishme ndërkombëtare, aktualisht nga Maqedonia e Veriut, raporton Klan Maqedoni.

“Vetëm këtë vit Maqedonia udhëheq me tre organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Kryesimi i OSBE-së. OSBE është organizata më e madhe e sigurisë në botë me 57 vende anëtare. E kryesojmë ne. Kryesojmë A5 – Kartën e Adriatikut. E kryesojmë procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore. Por para së gjithash, nëpërmjet shembullit tonë, vlerave tona, ne po i japim kontribut stabilitetit në rajon dhe vendimi që këtu të mbahet dialogu, vendimi që RMV të bëhet partner i SHBA-së dhe BE-së në dialog, flet në vete për këtë rol të ri të shtetit tonë”, deklaroi për Klan Maqedoni, Ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Sot në Ohër nën patronatin e Bashkimit Evropian po zhvillohet sesioni i radhës i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës./KlanMacedonia

You may also like