Shpeshtohen alarmet e rreme për mjete shpërthyese në Kosovë, kërcënimet e tilla po vazhdojnë edhe në rajon

by admin
Spread the love

Një alarm për vendosjen e një bombe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është dhënë mbrëmë. Bëhej fjalë për aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë, ku pas kontrolleve të Policisë, doli se alarmi ishte i rrejshëm.

Kërcënimi për bombë ishte dhënë gjatë kohës sa aeroplani ka qenë në fluturim duke krijuar panik të madh tek udhëtarët, shkruan Reporteri.net.

Ky panik zgjati për disa orë, derisa policia njoftoi se bëhet fjalë për një alarm të rrejshëm.

“Sonte rreth orës 22:00 kemi pranuar një informacion për një kërcënim me bombë në fluturimin nga Roma për Prishtinë. Menjëherë jemi përgjigjur me të gjitha njësitet relevante. Pasagjerët janë evakuuar dhe janë kontrolluar avioni, bagazhet, nuk ka dalë asgjë. Është alarm fals. Shumë shpejtë pritet dorëzimi bagazhit te udhëtarët, nuk ka asgjë”, ka thënë shefi i Policisë së Aeroportit, Shpend Maliqi.

Javëve të fundit ka pasur disa alarme të tilla të rrejshme për mjete shpërthyese në disa lokacione në Prishtinë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Që të tri këto alarme, rezultuan të rrejshme.

Kërcënimet për mjete shpërthyese në të gjitha rastet kishin ardhur përmes adresave elektronike.

Cak i alarmeve të rreme edhe rajoni

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Ndër shtetet e para që pranoi kërcënime për bomba ishte Mali i Zi, i cili që nga muaji mars përballet me alarme të rreme nëpër institucione publike e private.

Cak i kërcënimeve ishte edhe Serbia. Objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve për vendosje të bombave.

You may also like