Shoqëria pa kulturë është si një xhungël – Shqip

by admin
Spread the love

Sipas shkrimtarit të madh Albert Camus, pa kulturë, shoqëria është një xhungël

Në kohë të amështa si kjo e jona, kur asgjë s’duket se ka kuptim, arti mund të shërbejë si një udhërrëfyes për të mposhtë ligështinë, për t’i dhënë oksigjen mendjes njerëzore dhe për t’i qetësuar sadopak trazimet e mëdha shpirtërore të brezit tonë.

Camus te “Artisti dhe koha e tij” flet për vokacioni e vërtetë të artistit, i cili, sipas tij, duhet t’u japë ngushëllim dhe forcë atyre që luftojnë për një botë të drejtë.

Sot duket sikur forcat që luftojnë për një botë të drejtë janë pakësuar.

Më shumë dëgjohen forcat që gulçojnë, ulërinjnë e spërkasin gjithçka me helmin e gjuhës që mbjell urrejtje.

Kriza e njeriut të sotëm parasëgjithash është krizë e thellë shpirtërore dhe identitare.

Dhe si çdo herë në histori, sa herë ka kriza të tilla, tronditjet janë të mëdha.

Shoqëria jonë e brishtë është duke u rropatë pa busull në një krizë të frikshme që ka atakuar çdo aspekt të jetës dhe është bërë e përgjithshme.

Kjo krizë ka shtrirje në krejt sistemin tonë të brishtë dhe duket sikur ka thyer të gjitha parimet që e mbajnë një shoqëri normale në këmbë. Dhe si pasojë, dhuna e arroganca shfaqen hapur e ashpër.

Në këtë kohë, janë të shumtë ata që thonë se është folë e thënë shumëçka dhe më s’ia vlen të thuhet asgjë.

Megjithatë vlerësoj se mendimet e urta mund të shërbejnë si krua ku mund ta shuajmë etjen në ditë përvëluese.

Është mirë të kthemi prapa dhe të dëgjojmë ç’kanë thënë të mençurit kur vetë janë sfilitë nëpër kriza të tilla.

Shkrimtari Albert Camus ka kaluar nëpër kriza të thella, të varfërisë, luftërave, sëmundjeve, krizës së thellë të besimit te njeriu, pra ka kaluar nëpër trajektoret e vuajtjeve, absurdit, shpërfytyrimit, luftës.

Vlerësimet për kontributin e tij letrar janë të mëdha. Encyclopaedia Britannica për të thotë se ai “si romancier dhe dramaturg, moralist dhe teoricien politik, pas Luftës së Dytë Botërore ai u bë zëdhënësi i brezit të tij dhe mentori i brezit të ardhshëm, jo vetëm në Francë, por edhe në Evropë dhe përfundimisht në botë.

Shkrimet e tij, të cilat i drejtoheshin kryesisht izolimit të njeriut në një univers alien, largimit të personit nga vetja, problemit të së keqes dhe shtypjes finale nga vdekja, pasqyronin me saktësi tjetërsimin dhe zhgënjimin e intelektualit të pasluftës.”

Sot në mjedisin tonë të ngulfatur me marrëzi, ku duket se janë mbyllë dyert e dritaret për ajrosje me vlera të artit e kulturës, ku tallavaja sundon ashpër, një këshillë e tij më tingëllon e dobishme:

“Arti ndoshta në vetvete s’mund të prodhojë rilindjen që nënkupton drejtësi dhe liri. Por pa të, ajo rilindje do të ishte pa formë dhe, rrjedhimisht, do të ishte asgjë. Pa kulturë dhe lirinë relative që ajo nënkupton, shoqëria, edhe kur është e përsosur, s’është veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim i vërtetë është një dhuratë për të ardhmen.”

Shoqëria jonë duket se po kalon nëpër xhungël.

E dalja prej saj s’është e lehtë.

Sot e as nesër, kokën s’mund ta çojmë lart që të gjejmë rrugën e dalies me këto standarde të përdala që i kemi normuar si vlera shoqërore.

Mbase, të ushqyer me kulturë dhe me një ideal të lartë, nesër mund të gjejmë shtegdalje. Në të kundërtën, prej kësaj xhungle brezi ynë zor se do të del.

Brezat tjerë, me siguri do të shkruajnë tregime tjera, por nga ne do të trashëgojnë helm dhe cektësi.

Lexo lajme interesante

You may also like