Shkupjani Mevlan Adili i solli Kupën Vllaznisë sërish në Shkodër (VIDEO)

by admin
Spread the love

Një super gol i shënuar nga shkupjani Mevlan Adili në minutën e 5-të nga koha shtesë prej dy herë nga 15 minuta, i solli trofeun e Kupës skuadrës së Vllaznisë, që në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë, mundi Laçin me rezultatin 2:1.

Për më tepër goli i Adilit skuadrës shkodrane i siguroi edhe pjesëmarrjen në kuadër të Ligës së Konferencës, edhe atë duke filluar që nga raundi i dytë, njofton “infOSport.mk”.

Ndryshe ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, me të dy golat që u shënuan në pjesën e parë. Golashënuesi më i mirë i laçianëve, Guindo shënoi golin e parë të takimit vetëm pas 5 minutave lojë.

Sulmuesi nga Mali mjaft mirë pranoi një top para zonës kundërshtare nga ana e tetovarit, Bilal Velija, dhe pa u menduar shumë goditi drejt portës së Zogoviç, që në ato momente ishte i mposhtur.


GOLAT NGA FINALJA E KUPËS SË SHQIPËRISË, VLLAZNIA – LAÇI 2:1


Gëzimi i laçianëve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 19-të, pas një krosimi të bukur të Latifit, Ardit Hoxhaj me kokë shënoi në rrjetën e Mario Dajsinani për barazim të shifrave në 1:1.

Ky rezultat doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i takimit pas 90-të minutave lojë, në të cilën nuk është se pamë shumë raste për gol.

Të njëjtat munguan edhe gjatë 30 minutave shtesë, ku gjithë vëmendjen morri goli spektakolar i shkupjanit, Mevlan Adili.

Mbrojtësi i skuadrës shkodrane në minutën e 95-të me të djathtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë nga distanca, që mashtroi edhe portierin laçian, pasi topi para se të përfundonte në rrjetë preku tokën dhe bëri që e gjithë festa në “Air Albania  Stadium” të ishte shkodrane.

Ishte ky trofeu i dytë i njëpasnjëshëm për Vllazninë e Shkodrës dhe gjithsej i 8-ti në hsistori, kur është në pyetje Kupa e Shqipërisë. (infOSport.mk)

You may also like