Shkencëtarët arrijnë eficiencë energjetike rekord për panelet diellore të hollë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg
Rezultatet mund të jenë të dobishme edhe për industri të tjera që fokusohen te menaxhimi i dritës

 

Shkencëtarët e Universitetit të Surrey dhe ata të Imperial College të Londrës kanë arritur një rritje prej 25% të përthithjes së energjisë në panelet diellore ultra të hollë, një rekord për panelet me përmasa të tilla.

Ekipi, i cili bashkëpunoi me AMOLF në Amsterdam, përdori panele diellore të trashë vetëm një mikrometër, me një shtresë të çrregullt huall mjalti në pjesën e sipërme të panelit prej silici. Dizajni biofilik frymëzohet nga krahët e fluturës dhe nga sytë e zogjve, për të përthithur dritën e diellit nga çdo kënd i mundshëm, duke i bërë panelet më eficientë.

Hulumtimi çoi në një rritje me 25% të niveleve të përthithjes së energjisë nga panelet, duke i bërë këto panele diellore më eficiente se panele të tjera me trashësi një mikrometër. Studiuesit i publikuan rezultatet në revistën e American Chemical Society, “Photonics”.

“Një nga sfidat e punës me silicin është se thuajse një e treta e dritës vjen direkt tek ai, duke mos u përthithur dhe duke mos u shfrytëzuar energjia” – tha në një deklaratë, Marian Florescu, nga Advanced Technology Institute (ATI) i Universitetit të Surrey.

“Një shtresë e strukturuar nëpërmjet silicit ndihmon në trajtimin e këtij problemi dhe dizajni ynë i çrregullt, por hiperuniform, i huallit të mjaltit, është shumë i suksesshëm”.

Panelet në studim arritën nivele përthithje prej 26,3 mA/cm2, krahasuar me rekordin e mëparshëm të përthithjes prej 19,72 mA/cm2 në vitin 2017. Rritja e eficiencës dhe përthithjes në panelet ultra të hollë është e rëndësishme për realizimin e fotovoltaikëve me kosto të ulët.

“Fotovoltaiku prej silici (PC) me trashësi mikrometrike premton të jetë zgjidhja e fundit ekonomike, e besueshme dhe ekologjike për të shfrytëzuar energjinë diellore në zonat urbane dhe në hapësirë, pasi ndërthur koston e ulët dhe pjekurinë në prodhimin e silicit kristalor (c-Si) me peshë të ulët me fleksibilitetin mekanik të shtresave të holla” – shpjeguan autorët e studimit.

Kërkuesit presin që përmirësimet e mëtejshme në dizajn do të rrisin edhe më shumë eficiencën e paneleve makrometrikë të hollë dhe do të jenë në gjendje të konkurrojnë me panelet diellore komerciale ekzistuese.

“Ka një potencial të madh në përdorimin e fotovoltaikut ultra të hollë. Për shembull, duke pasur parasysh sa të lehtë janë, ata do të jenë veçanërisht të dobishëm në hapësirë dhe mund të realizojnë projektet e reja jashtëtokësore”, tha Florescu.

“Duke qenë se ata përdorin shumë më pak silic, ne shpresojmë se do të kursejmë kosto edhe këtu në Tokë. Gjithashtu mund të ketë potencial për të sjellë më shumë përfitime nga Interneti i Gjërave dhe për të krijuar ndërtesa me energji zero”.

Përtej fotovoltaikëve, hulumtimi mund të jetë i dobishëm edhe për industri të tjera, si foto-elektrokimia, emetimi e dritës në gjendje të ngurtë dhe fotodetektorët, që fokusohen në menaxhimin e dritës.

Pas suksesit të rritjes së shkallës së përthithjes së paneleve ultra të hollë në këtë studim, shkencëtarët synojnë kërkimin e partnerëve tregtarë për zhvillimin e një plani për prodhimin.

/ World Economic Forum

You may also like