Shkëmbi: Presioni duhet të jetë pozitiv, ka ardhur koha për fitoren e parë

by admin
Spread the love

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka folur për mediat në prag të sfidës së nesërme kundër Vllaznisë, që do të transmetohet live në Oversport dhe Tibo. Tekniku i durrsakëve deklaron se pushimi i ka shërbyer skuadrës dhe se ka ardhur momenti që Teuta të marrë fitoren e parë në kampionat.

“Na ka shërbyer kjo periudhë pushimi, kemi punuar mirë disa ditë me dy seanca, me lojtarët që kanë ardhur vonë me ekipin dhe ka ndihmuar nga ana fizike. Na ka shërbyer dhe shpresojmë që në ditën e ndeshjes të bëjmë po aq mirë sa kemi bërë në stërvitje këto ditë.

Çdo javë mendoj se do të jetë e vështirë. Respekt për Vllazninë, ka ekip të mirë me cilësi që në një ditë të mirë të hapin probleme. Por ne kemi mënyrën tonë, egon tonë, karakterin tonë për të luajtur, për të bërë më të mirën pavarësisht kundërshtarit.

Mungesa e fitores, presion për skuadrën? Ekipi duhet të bëjë më të mirën e mundshme, çdo lojtar në funksion të skuadrës, të bëjë atë që ne kërkojmë dhe presioni duhet të jetë pozitiv, jo negativ. Duhet të na japë shtysë dhe forcë për të arritur tre pikët dhe jo të na vendosë në presion psikologjik. Nuk duhet të kemi presion se jemi ende në fillim, ka shumë ndeshje dhe jam i bindur që kjo skuadër me këto emra do të jetë më lart.

Koha për fitore? Mendoj që po dhe të gjithë, unë, klubi, tifozët, skuadra e lojtarët, nëse do të bëjmë mirë, patjetër. Në këtë ndeshje të kemi edhe pak fat me vete që ato raste që shfaqen të shënojmë se mendoj se në ndeshjet e fundit kemi pasur momentet tona për të shënuar te porta kundërshtare dhe nuk kemi arritur ta bëjmë. Nëse do të bëjmë këtë mendoj që do ta kemi pak më të thjeshtë nga ana psikologjike”, ka thënë mes të tjerash Shkëmbi. / Oversport.tv

You may also like