Shkëlqimi dhe rënia e ish-talentit të Real Madrid/ Nga problemet kardiake deri te kriza financiare e klubit!

by admin
Spread the love

Lucas Silva ishte një nga premtimet më të mëdha të futbollit brazilian teksa nisi të shkëlqente me Cruizeron në elitën braziliane në sezonin 2011-12.

I konsideruar si një “busull” e mesfushës, në vitin 2014 ai shpallet edhe mesfushori më i mirë në kampionatin brazilian.

Kështu, në janarin e vitit 2015, Silva në atë kohë në moshën 21-vjeçare bind Real Madrid për të shpenzuar 14 milionë euro.

Aventura me Los Blancos nis mirë ku në shkurt të vitit 2015 debuton në La Liga ndërsa disa ditë më vonë vjen edhe debutimi në Champions League ku altivizohet për 90-minuta në triumfin e Real Madrid ndaj Schalke 04.

Megjithatë, i cilësuar ende pa eksperiencë në futbollin europian dhe me vetëm tetë prezenca në total, spanjollët vendosën ta huazonin Silvën tek Marseille në Ligue 1.

Pikërisht, në këtë moment vjen edhe rënia e brazilianit i cili nuk gjen hapësira te francezët dhe më pas refuzon një huazim tek Anderlecht në Belgjikë.

Rikthehet te Real Madrid për sezonin 2015-16, megjithatë drejtuesit dhe stafi teknik i “Galaktikëve” punonte në vetëm një drejtim; të “sajonin” një tjetër huazim për Lucas Silvan.

Sporting Lisbonë propozohet si një destinacion i mundshëm dhe palët bien dakord, por në horizont shfaqet një surprizë e pakëndshme.

Gjatë vizitave mjekësore, stafi mjekësor i portugezëve sinjalizon një problem kardiak (rrahje kardiake të parregullta) të Lucas Silva dhe transferimi në Portugali dështon.

Në këtë moment, duket sikur nuk bllokohet vetëm një eksperiencë me Sportingun, por e gjithë karriera e lojtarit.

Për fat të mirë, në vazhdim zbulohet se problemi kardiak ishte kalimtar dhe se Silva mund të vijonte të zbriste në fushë.

Ndaj, në janar të vitit 2017 rikthehet në Brazil pas dështimit në Europë. Dyert i gjen sërish të hapura te Cruzeiro që e huazon nga Real.

Silva qëndron për dy vite e gjysmë, derisa edhe kontrata me Realin merr fund ndërsa për Cruzeiron vjen një krizë financiare dhe nuk arrin dot ta federojë Silvën ndërsa më pas klubi bie nga kategoria.

Silva nga ana tjetër rikthehet në shtëpi pa pasur asnjë kontratë në xhep dhe me pengun e madh të lojtarit që mund të kishte qenë.

Gjithsesi, në janar të vitit 2020 shansin ia jep sërish Gremio teksa sot e kësaj dite ende është në organikën e tyre ndërsa së fundmi ka arritur edhe shifrën e 100 prezencave me Gremion.

Tashmë, energjia e Silvës është përqëndruar te Gremio për të ndihmuar klubin të rikthehet në elitë teksa 29-vjeçarin është shndërruar në një idhull për tifozët.

E vërteta është se Silva nuk është më ai talenti me shumë pritshmëri, por është një futbollist me përvojë dhe që jo vetëm njeh më mirë aftësitë e tij, por ka gjithashtu vetëdijen për të menaxhuar më së miri energjitë./ Shqip


Top Channel

You may also like