Shkaku i atletëve rusë, 40 vende mund t’i bojkotojnë Lojërat Olimpike

by admin
Spread the love

Rreth 40 vende mund t’i bojkotojnë Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Paris në vitin e ardhsëm, duke e bërë të pakuptimtë të gjithë ngjarjen madhore, tha ministri i sportit dhe turizmit në Poloni, Kamil Bortniczuk.

Komentet e tij erdhën pasi Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia refuzuan së bashku një plan të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të lejuar rusët dhe bjellorusët të marrin pjesë në këtë ngjarje.

Ukraina gjithashtu ka kërcënuar se do të bojkotojë Lojërat Olimpike të Parisit nëse kjo ndodh. Por IOC tha të enjten se çdo bojkot do të sille pasoja për të gjithë atletët e këtyre vendeve.

Bortniczuk tha se ai besonte se do të ishte e mundur të ndërtohej një koalicion prej 40 vendesh, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, për të mbështetur një bllokim në planet e IOC përpara një takimi që do të mbahet më 10 shkurt.

“Duke pasur parasysh këtë, nuk mendoj se do të përballemi me vendime të vështira përpara Olimpiadës dhe, nëse do të bojkotojmë lojërat, koalicioni ku do të jemi pjesë do të jetë mjaft i gjerë për ta bërë të kotë mbajtjen e Lojërave Olimpike”, tha Bortniczuk.

IOC njoftoi javën e kaluar se po e shikon mundësinë për të lejuar atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në Paris nën një flamur neutral, duke shtuar se asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tyre.

Ministri i sportit i Ukrainës Vadym Guttsait tha se organet sportive të vendit duhet të forcojnë komunikimin me federatat ndërkombëtare për të mbajtur në fuqi ndalimin për atletët rusë dhe bjellorusë, i cili u vendos nga komiteti ekzekutiv i IOC menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, presidenti i IOC-së, Thomas Bach, ka thënë që atëherë se kjo ishte menduar vetëm si një masë mbrojtëse ndaj atyre atletëve dhe tani këmbëngul se ata nuk duhet të diskriminohen.

You may also like