Sipas një studimi të Ampere Analysis, shitjet globale të videolojërave parashikohet të pësojnë tkurrje me 1.2%, duke arritur në 188 miliardë dollarë në vitin 2022
Shitjet e videolojërave pritet të tkurren për herë të parë prej vitesh. Sektori, i cili lulëzoi në kohën e pandemisë, po përballet me perspektivën e zymtë të një recesioni.
Sipas një studimi të shoqërisë së të dhënave të tregut, Ampere Analysis, tregu global i videolojërave dhe shërbimeve pritet të pësojë tkurrje me 1.2% me bazë vjetore, duke arritur në 188 miliardë dollarë në vitin 2022.
Sektori u zgjerua me 26% nga viti 2019 në vitin 2021, duke arritur një shifër rekord prej 191 miliardë dollarësh. Shitjet e videolojërave janë rritur vazhdimisht të paktën nga viti 2015, siç tregojnë të dhënat e Ampere.
Videolojërat morën hov të madh gjatë masave kufizuese për shkak të Covid-19 në vitin 2020, kur njerëzit kaluan më shumë kohë të mbyllur në shtëpi. Në të njëjtën kohë, edhe prezantimi i konsolëve të një gjenerate të re të Microsoft dhe Sony, kanë mbështetur shitjet e sektorit.
Megjithatë, prezantimi i Xbox Serie X dhe S të Microsoft dhe PlayStation 5 të Sony rezultoi një thikë me dy presa – për shkak të ndërprerjeve në logjistikë dhe mungesës së elementeve thelbësore, blerësit janë përballur me vështirësi në gjetjen e konsolëve të rinj në raftet e dyqaneve apo online.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, së bashku me pengesat në zinxhirët e furnizimit dhe rritjen e inflacionit kanë përkeqësuar më tej perspektivat e videolojërave.
Prodhues të shumtë software dhe hardware për videolojërat kanë vendosur të pezullojnë aktivitetet e tyre në Rusi, duke përfshirë edhe Microsoft dhe Sony.
Sipas Ampere, në vitin 2021, Rusia ishte tregu i 10 botëror i videolojërave. Pritet që këtë vit të zbresë në vendin e 14 në klasifikimin global dhe do të humbë, sipas kompanisë, 1,2 miliardë dollarë në vlerë.
Piers Harding-Rolls, drejtues i kërkimit të Ampere, deklaroi se të dhënat tregojnë se industria e videolojërave nuk është “në provën e recesionit” dhe se problemet e lidhura me koston e jetesës, të shkaktuara nga rritja e çmimeve, mund të rëndojnë në konsum.
“Pas dy vitesh zgjerimi të madh, tregu i videolojërave është gati të kthejë pakëz nga ajo rritje në vitin 2022, pasi faktorë të shumtë ndërthuren duke minuar ecurinë”, – tha Harding-Rolls.
“Pavarësisht kësaj, viti do të mbyllet mbi ecurinë para pandemisë dhe perspektivat e sektorit në tërësi mbeten pozitive, me rikthimin drejt rritjes në vitin 2023”, – shtoi ai.
Sipas Ampere, tregu duhet t’i rikthehet rritjes në vitin 2023, me shitjet që pritet të arrijnë 195 miliardë dollarë.
Ndër të tjera, sektori duhet të përballet me ndryshimet në privatësi nga Apple, të cilat e bëjnë më të vështirë për zhvilluesit e videolojërave mobile të gjurmojnë përdoruesit e iPhone dhe vonesat në dalje të videolojërave të suksesshme Starfield e Redfall të Microsoft.
/ CNBC