Shitjet e automjeteve në SHBA pritet të bien në prill

by admin
Spread the love

Shitjet e automjeteve të reja në SHBA parashikohet të bien në muajin prill, pasi inventarët e ulët dhe rritja e normave të interesit rrisin çmimet, në mes kërkesës së lartë, thanë konsulentët J.D. Power dhe LMC Automotive.

Shitjet me pakicë të automjeteve të reja në Shtetet e Bashkuara në muajin prill mund të bien me 23,8%, në 1,1 milionë njësi krahasuar me një vit më parë, sipas një raporti të publikuar nga konsulentët të mërkurën.

Kërkesa mbetet e fortë, por me më pak se 900.000 njësi në inventar nga ana e koncesionarëve, vëllimet e shitjes do të jenë nën nivelet e një viti më parë, tha Thomas King, president i divizionit të të dhënave dhe analizave në J.D. Powers.

Sektori automobilistik është goditur rëndë nga problemet e furnizimit, ku prodhimi është penguar për më shumë se një vit nga mungesa globale e komponentëve elektronikë dhe pengesat e furnizimit, për shkak të bllokimeve të COVID-19 në Kinë dhe luftës në Ukrainë.

Shoqëria e kërkimit Cox Automotive parashikon që vëllimi i shitjeve në prill do të ulet me 1,7% krahasuar me muajin mars, për shkak të inventarëve të kufizuar dhe shton se kushtet, me shumë gjasa, nuk do të përmirësohen në vitin 2022.

“Presim që vëllimet e prodhimit të përmirësohen në gjysmën e dytë të vitit, por përmbushja e porosive ekzistuese mund të mos lejojë që inventari i koncesionarëve të rritet në ndonjë mënyrë të dukshme” – tha në një deklaratë Charlie Chesbrough, ekonomist i lartë i Cox Automotive.

Rritja e normave të interesit është një kërcënim për çmimet aktuale të transaksioneve, me normën mesatare të interesit për kreditë që pritet të rritet me 33 pikë bazë në prill nga një vit më parë, në 4.61%, thanë konsulentët.

Ata shtuan se parashikimi global për shitjet e automjeteve të lehta tani ka rënë në 81,7 milionë njësi në vitin 2022, 900,000 njësi më pak nga muaji i kaluar.

Shitjet totale të automjeteve të reja për prill 2022, përfshirë transaksionet me pakicë dhe jo me pakicë, parashikohen të arrijnë në 1.2 milionë njësi, një rënie prej 21,5% krahasuar me një vit më parë.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like