Shefi i NATO-s: Do të dërgojmë 700 forca shtesë në Kosovë pas dhunës së të hënës

by admin
Spread the love

Aleanca ushtarake e NATO-s tha se në përgjigje ndaj trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë, do të dërgojë trupa shtesë nga Forcat Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor.

Komanda e Forcave të NATO-s në Napoli tha se “po ndjek nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të bashkërendohet me KFOR-in për t’u siguruar se do të ketë të gjitha mundësitë dhe forcat që i nevojiten për të siguruar në mënyrë të paanshme një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se 700 trupa shtesë do të dërgohen në Kosovë.

“Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që mund të dërgohet nëse është e nevojshme”, tha ai në një konferencë në Oslo, në të cilën dënoi dhunën ndaj forcave paqeruajtëse.

“Dhuna e kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të hedhin hapa konkret për t’i ulur tensionet, të përmbahen nga veprimet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”, tha sekretari Stoltenberg.

Vendimi u mor një ditë pas trazirave të dhunshme në veri të Kosovës ku 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur pas përplasjes me grupe protestuesish serbë.

KFOR tha se nga pasojat e “dhunës së paprovokuar në Zveçan” 11 ushtarë italianë dhe 19 hungarezë pësuan plagë, përfshirë thyerje eshtrash dhe djegie nga mjetet shpërthyese, ndërsa tre ushtarë hungarezë kanë pësuar plagë nga armët e zjarrit.

Të martën forcat paqeruajtëse janë vendosur para ndërtesave të komunave veriore të Kosovës ku janë mbledhur grupe serbësh për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, por situata aktuale është e qetë.

You may also like