NJU JORK, 2 tetor /ATSH-ANSA/ – Në debatin televiziv të kandidatëve për zëvendëspresidentë në Nju Jork në CBS, Tim Walz dhe JD Vance u përballën me njëri-tjetrin në mënyrë civile dhe të sjellshme, ndonjëherë edhe duke rënë dakord me njëri-tjetrin dhe duke shtrënguar duart përzemërsisht.
Asnjë ”goditje e pahijshme apo knockout” në debat.
Senatori nga Ohio, me një diplomë të Yale-s, u shfaq më i qetë, më i sigurt, më i rrjedhshëm në fjalimin e tij, duke u paraqitur si një version i kulturuar dhe i edukuar i trumpizmit dhe duke arritur t’i bënte premtimet e manjatit më të këndshme.
Ndërsa guvernatori i Minesotës ishte më i sikletshëm, më nervoz, më i shqetësuar për të hequr qafe të gjitha pikat e përfolura të mësuara përmendësh, në vend që të sulmonte kundërshtarin e tij.
Për të dy, kishte një mundësi për t’u paraqitur para publikut të gjerë si dhe për të sulmuar trashëgiminë e Trump dhe administratës aktuale Biden-Harris.
Asnjëri nuk iu përgjigj pyetjes së parë, nëse ata mbështesnin një sulm parandalues izraelit ndaj Iranit.
Vance e kufizoi veten duke thënë se “zgjedhja është e Izraelit dhe se ne duhet të mbështesim aleatët kudo që të luftojnë kundër të këqijve”, duke kujtuar se Trump ka garantuar paqen.
Walz në vend të kësaj denoncoi se në këtë moment bota nuk ka nevojë për një pothuaj 80-vjeçar që flet për madhësinë e turmave në mitingjet e tij.
Ndër çështjet më të diskutueshme ishin migracioni dhe aborti.
Zëvendësi i manjatit akuzoi Harris për politikën e kufirit të hapur që favorizon kartelet e drogës dhe pushtimet e miliona emigrantëve të paligjshëm, si në Springfield, Ohio, ku ilegalët ushtrojnë presion mbi shërbimet publike./ /os/