SHBA – Trump apelon vendimin për moslejimin në primaret e Kolorados

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 4 janar /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka apeluar pranë Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për të detyruar pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet paraprake në shtetin e Kolorados, njoftoi ekipi i fushatës së Trumpit.

Me këtë lëvizje, Trump kërkon të anulojë një vendim të gjykatës më të lartë në Kolorado që e skualifikoi atë nga zgjedhjet paraprake të shtetit për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Capitol Hill, në Uashington më 6 janar 2021.

Më 20 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi se Trump nuk ishte i përshtatshëm për zgjedhjet paraprake shtetërore të 5 marsit.

Trump shpreson të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, por kundërshtarët e tij po përpiqen të heqin emrin e tij nga fletëvotimet në disa shtete.

Kundërshtarët e Trump po debatojnë mbi bazën e një amendamenti kushtetues që përjashton nga zgjedhjet njerëzit që kanë nxitur një “rebelim” kundër kushtetutës.

Deri tani, ata kanë qenë të suksesshëm vetëm në Kolorado dhe në shtetin verilindor të Maines.

Zyrtari më i lartë zgjedhor i Maines, sekretarja e Shtetit, Shenna Bellows, vendosi më 29 dhjetor se peticioni për emërimin primar të ish-presidentit ishte “i pavlefshëm”.

Sipas Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së, Trump ”nuk është i kualifikuar për të mbajtur postin e Presidentit”.

Avokatët e Trump paraqitën një kundërshtim zyrtar në një gjykatë në Maine të martën kundër vendimit të Bellows.

Mbështetësit e Trump sulmuan dhunshëm ndërtesën e Capitol Hill, më 6 janar 2021, pas një fjalimi të mbajtur nga presidenti i atëhershëm.

Kongresi ishte mbledhur atje për të konfirmuar zyrtarisht fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Dhuna shkaktoi pesë të vdekur./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like