SHBA: Sistemet e mbrojtjes ajrore, nevojë kryesore e ushtrisë ukrainase

by admin
Spread the love

Sulmet e Rusisë me raketa dhe dronë iranianë kanë bërë që aftësitë e mbrojtjes ajrore të jenë nevojat kryesore të ushtrisë ukrainase, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kirby tha se në ditët e ardhshme Uashingtoni do të njoftojë një paketë të re ndihmash ushtarake për Ukrainën. Lidhur me kundërshtimin e Rusisë ndaj mundësisë së dërgimit nga Uashigtoni të raketave amerikane “Patriot” në Ukrainë, zoti Kirby theksoi se Rusia nuk mund të diktojë kushtet për Shtetete e Bashkuara se çfarë ndihme ushtarake mund t’i japë Kievit.

“Ne jemi të përqëndruar të ndihmojmë ukrainasit që të mbrojnë territorin e tyre dhe të rimarrin territoret që rusët në mënyrë të paligjshme i kanë pushtuar. Për këtë arsye, shumica e aftësive dhe pajisjeve që ne u kemi ofruar ukrainasve kanë për qëllim të arrijnë këtë synim”, tha zoti Kirby.

Sipas disa njoftimeve të bëra këtë javë nga zyrtarë amerikanë të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, Uashingtoni pritet t’i dërgojë Kievit sistemet ‘Patriot’, që do të ishin sistemet më të avancuara që Perëndimi ia ka ofruar deri më tani Ukrainës për ta mbështetur atë në përpjekjet për të zmbrapsur sulmet ajrore ruse.

Rusia paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara marrin vendim të dërgojnë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, ky do të konsiderohej si një veprim tjetër provokues i Uashingtonit, të cilit Moska do t’i përgjigjej.

Zoti Kirby tha se komenetet e Kremlinit nuk do të kenë ndikim në vendimet e Uashingtonit mbi ndihmat ushtarake për Ukrainën.

“Në ditët e ardhshme do të ketë një njoftim për një pako tjetër ndihmash ushtarake për Ukrainën. Nuk dua të them më shumë për këtë dhe nuk dua të bëjë komente mbi njoftimet e shtypit mbi atë që përmban ndihma e re ushtarake. Rusia nuk mund të diktojë kushtet për Shtetetet të Bashkuara ose vendet e tjera lidhur me llojin e ndihmës ushtarake që do t’i ofrojmë Ukrainës. Ne jemi duke e bërë këtë në bashkëpunim me ukrainasit, për të përmbushur nevojat e tyre”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Sulmet me dronë iranianë në Ukrainë kanë rritur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara mbi thellimin e partneriteti ushtarak mes Iranit dhe Rusisë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby tha se thellimi i këtij parnteriteti është i dëmshëm jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Lindjen e Mesme.

“Pjesë e kësaj përpjekjeje mund të jetë ndërtimi i një qendre të përbashkët prodhimi në Rusi për dronët iranianë. Ne besojmë se ata po përpiqen ta bëjnë këtë. Thellimi i partneritetit të tyre ushtarak sjellë pasoja të rënda jo vetëm për banorët e Ukrainës por edhe për ata të Lindjes së Mesme. Furnizimi i Iranit me armë të sofistikuara nga Rusia e bënë Teheranin një kërcënim më të madh për rajonin”.

Zoti Kirby tha se lufta në Ukrainë dhe mënyra se si ajo e ka transformuar mjedisin e sigurisë në Evropë ka qenë një nga sfidat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara në vitin 2022./VOA


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like