SHBA – Senati miraton paketën e ndihmës për Ukrainën

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Senati i SHBA ka dhënë miratimin e tij për një paketë ndihme prej 95,3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pas shumë javësh negociatash.

Projektligji kaloi me 70 vota pro dhe 29 kundër në dhomën e udhëhequr nga demokratët.

Por, fati i tij në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët nuk është aspak i sigurt, pasi ish-presidenti dhe kandidati kryesor i vitit 2024, Donald Trump u ka kërkuar republikanëve të shmangin miratimin e legjislacionit që do t’i jepte presidentit Joe Biden një shans për të pretenduar një fitore legjislative.

Dy politikanët ka të ngjarë të luftojnë për presidencën – edhe një herë – në nëntor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen aleati më i rëndësishëm i Ukrainës në mbrojtjen kundër pushtimit rus.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, administrata Biden ka ofruar ose ka premtuar ndihmë ushtarake në vlerë prej më shumë se 44 miliardë dollarë për Kievin.

Paketa e ndihmës e miratuar nga Senati përfshin rreth 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, shumica e të cilave është caktuar për mbështetje ushtarake.

Kjo është afërsisht shuma që Biden kishte kërkuar fillimisht.

Drafti përfshin gjithashtu 14 miliardë dollarë për Izraelin, si dhe miliarda ndihmë për Tajvanin dhe partnerët e tjerë në vendet e Indo-Paqësorit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like