SHBA-ja çon një hap para anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

by admin
Spread the love

Presidenti rus Vladimir Putin mori një goditje të rëndë, pasi Shtetet e Bashkuara përfunduan procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancën e NATO-s.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb njofton mbi rëndësinë e zgjerimit të aleancës ushtarake në mbi dy dekada, ndërsa pritet miratimi përfun dim tar edhe i 7 vendeve të tjera.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara miratoi zyrtarisht të martën anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit rus kundër Ukrainës.

“Në një moment kur Rusia e Putinit ka shkatërruar paqen dhe sigurinë në Evropë, kur autokratët po sfidojnë themelet e një rendi të bazuar në rregulla, fuqia e Aleancës Transatlantike dhe angazhimi amerikan ndaj NATO-s është më i rëndësishëm se kurrë”, tha zoti Biden.

Finlandezët dhe suedezët do të sjellin ushtri të vogla, por moderne në aleancë.

Anëtarësimi i Finlandës do ta zgjerojë kufirin e NATO-s me Rusinë me mbi 1 mijë 300 kilometra.

Bradley Bowman nga Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive thotë se kjo do të ndikojë drejtpëdrejt në llogaritë e Putinit.

“Nëse jeni udhëheqës ushtarak rus ose Vladimir Putini dhe po mendoni për agresion kundër NATO-s në rajonin e Detit të Zi, në Baltik, ose diku tjetër, duhet të llogarisni edhe kundërpërgjigjen që mund të vijë nga Finlanda në rast se veproni”, thotë ai.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin vizitoi trupat amerikane në Letoni, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re ndihmash ushtarake prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, dërgesa më e madhe amerikane për Kievin deri tani.

Rusia ka shkaktuar humbje të mëdha për forcat ukrainase, por Pentagoni thotë se Ukraina vazhdon të shfrytëzojë me efektshmëri armët e dhuruara nga Perëndimi, ndërsa Rusia ka humbur 3 deri 4 mijë automjete të blinduara dhe një numër të madh trupash në Ukrainë.

“Ka shumë mjegull në luftë. Por mund të themi se rusët kanë 70 ose 80 mijë të vrarë në më pak se gjashtë muaj”, thotë Colin Kahl, Nënsekretari amerikan për Politikat e Mbrojtjes.

Këtë javë në Buça u varrosën viktima të tjera të paidentifikuara të vrarë nga sulmet ruse.

Tymi mbuloi një bazë ruse në Krime mëngjesin e së martës pas një shpërthimi të fortë.

Guvernatori i Krimesë tha se një person u vra nga ky shpërthim.

Rusia mohon dëmtimin e pajisjeve ushtarake nga shpërthimi i djeshëm, ose që të ketë ndodhur ndonjë sulm.

Zyrtarët ukrainas, kanë lënë të kuptohet, por pa e pranuar përgjegjësinë për shpërthimet, duke vënë në lojë shpjegimin rus se në bazë ra zjarr tek depoja e municioneve që shkaktoi shpërthimet.

Të mërkurën, Ukraina akuzoi Rusinë se po shfrytëzon pozicionin e saj në termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia për të goditur qytetin Marhanets. Sipas autoriteteve ukrainase një sulm me raketa vrau të paktën 13 njerëz, la shumë të plagosur dhe shkatërroi lagje banimi.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëra-tjetrën për rrezikimin e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, përmes sulmeve në afërsi të tij.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike u ka kërkuar palëve që të përmbahen, ndërsa paralajmëron për “rrezikun real të një katastrofe bërthamore”. /VOA

Rruga Press

You may also like