SHBA – Escobar: MV dhe Shqipëria kanë bërë reforma dhe sakrifica të rëndësishme për anëtarësimin në BE

by admin
Spread the love

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me partnerët tanë të BE-së për të çuar përpara integrimin në BE për të gjitha vendet në rajon dhe për të mbështetur reformat që janë pjesë e procesit të anëtarësimit, tha sot i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një seancë të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë në Europë dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë.

“Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë të BE-së të mbajnë dyert e Evropës të hapura, pasi kjo është nxitja më e rëndësishme që gjeneron vullnet politik për reforma kritike, por edhe të vështira.  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë reforma dhe sakrifica të rëndësishme dhe të dyja vendet meritojnë të avancojnë në procesin e anëtarësimit”, deklaroi Escobar.

“Një Evropë e lirë, e plotë, e begatë dhe në paqe mbetet në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe në thelb të politikës sonë. Ballkani Perëndimor është në qendër të këtij vizioni, megjithëse potenciali i tij mbetet i paplotësuar. Administrata Biden e njeh këtë sfidë dhe mbetet e përkushtuar ndaj këtij rajoni, i cili është historikisht, politikisht, dhe gjeografikisht një pjesë e pandarë e Evropës. Angazhimi ynë i gjatë diplomatik mbështet integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Një Ballkan më i fortë, i integruar në një Evropë më të fortë, bën një Partneritet Transatlantik më të fortë.

Për këto qëllime, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të thellojnë partneritetin në rajon. Vetëm në muajt e fundit, ne festuam 140 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Serbinë dhe mbajtëm konsultimet tona të para dypalëshe të mbrojtjes në pesë vjet; shpallëm shtabin e forcave të operacioneve speciale me bazë në Shqipëri; mirëpritëm Kroacinë në programin e heqjes së vizave për të zgjeruar udhëtimet dhe tregtinë dypalëshe; dhe u mbështetëm te partnerët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut të cilët pritën përkohësisht mijëra të evakuuar afganë.

Ne gjithashtu vazhdojmë të ndërtojmë lidhjet ekonomike me rajonin. Vitin e kaluar, ne nisëm dialogun ekonomik inaugurues SHBA-Mali i Zi, forcuam sigurinë energjetike evropiane përmes projekteve në Shqipëri dhe Kroaci dhe festuam investime të rëndësishme nga kompanitë amerikane në Serbi.

Partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor janë të vendosur të integrohen më ngushtë me tregun e përbashkët të BE-së dhe ne vazhdojmë t’i mbështesim ata. Iniciativat rajonale si Tregu i Përbashkët Rajonal i BE-së, Ballkani i Hapur dhe Axhenda e Gjelbër tregojnë se integrimi dhe bashkëpunimi më i thellë ekonomik janë të domosdoshëm për rritjen e qëndrueshme dhe anëtarësimin në BE.

Mundësitë për bizneset amerikane janë të mëdha dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë vendet që të forcojnë shtetin e së drejtës, të luftojnë korrupsionin dhe të rrisin transparencën për të zgjeruar mundësitë e investimeve. Reformat e nevojshme do të rrisin prosperitetin, do t’i japin përparësi investimeve të qëndrueshme dhe energjisë së pastër. Ata gjithashtu do të reduktojnë investimet e drejtuara politikisht nga aktorët e jashtëm dhe do të ndërtojnë themelet për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe qeverisje të qëndrueshme.

Treguesit e progresit drejt integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor përfshijnë një bashkëpunimin rajonal më të thellë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rritje.Në disa vende të rajonit, ne kemi parë përpjekje të zellshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të luftuar korrupsionin. Kjo nuk ndodh në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ku ka pasur pengesa”, deklaroi Escobar. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like