SHBA – Departamenti i Thesarit udhëzime mbi planin e kufirit të çmimit të naftës ruse

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 10 shtator /ATSH/ – Departamenti Amerikan i Thesarit publikoi udhëzime lidhur me kufirin e propozuar mbi çmimin e naftës ruse, duke u fokusuar në dokumentacionin e nevojshëm nga sektori privat për të përmbushur programin, sipas bloomberg.com.

Udhëzimi, i publikuar nga Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Aseteve të Huaja, u jep kompanive private detyrën për të zbatuar kufirin duke kërkuar certifikimin se nafta ruse shitet me ose nën një çmim të vendosur nga SHBA-ja së bashku me anëtarët e tjerë të Grupit G7. Udhëzimi u drejtohet kompanive të sigurimit dhe kompanive financiare që lehtësojnë tregtinë ndërkombëtare të naftës.

Kufiri parashikohet të vendoset deri më 5 dhjetor për naftën bruto dhe 5 shkurt për produktet e naftës, në përputhje me zbatimin e ndalimit të Bashkimit Evropian për shërbimet që lidhen me naftën offshore dhe produktet e rafinuara.

Programi “do të mbështetet në një proces mbajtjeje të dhënash dhe vërtetimi që i lejon secilës palë në zinxhirin e furnizimit të naftës ruse që transportohet me rrugë detare, të demonstrojë ose konfirmojë se nafta është blerë me ose nën kufirin e çmimit”, tha OFAC në një deklaratë.

Deklarata paralajmëroi gjithashtu ofruesit e shërbimeve që të identifikojnë faktorë që tregojnë shkelje të mundshme të kufirit të çmimit, duke përfshirë refuzimin ose hezitimin për të dhënë informacion mbi çmimin, kushte jashtëzakonisht të favorshme pagese dhe tregues të dokumenteve të manipuluara të transportit.

Zëvendës-sekretari i Departamentit të Thesarit, Wally Adeyemo theksoi sot se Bashkimi Evropian dhe vendet e G-7 përbëjnë 90% të sigurimit global të transportit, së bashku me shumicën e shërbimeve të financimit dhe pagesave për tregun.

Ai tha gjithashtu se G-7 po punon që kompanitë të respektojnë kufirin e çmimit të naftës, dhe gjithashtu të imponohen pasoja nëse ato kërkojnë ta shmangin atë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like