UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Joe Biden i rezervoi një mirëseardhje të ngrohtë kryeministres italiane, Giorgia Meloni, të cilën e falënderoi veçanërisht për mbështetjen e saj shumë të fortë” për Ukrainën, edhe pse lideri amerikan ka qenë i shqetësuar për ardhjen në pushtet në Itali të partisë së saj të ekstremit të djathtë.
Presidenti amerikan këmbënguli në “rolin shumë të rëndësishëm” që luan Italia si aleate ushtarake brenda NATO-s dhe mbi të gjitha në mbështetjen e dhënë nga vendi për Ukrainën përballë pushtimit nga Rusia.
“Kjo bën një ndryshim të madh”, tha ai teksa priti Giorgia Melonin në Zyrën Ovale.
“Ne i njohim miqtë tanë në vështirësi. Unë mendoj se vendet perëndimore kanë treguar se mund të mbështeten tek njëri-tjetri”, tha kryeministrja italiane.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet “historikisht të forta” midis SHBA dhe Italisë, të cilat “mbeten solide pavarësisht nga ngjyra politike” e qeverive.
Kreu i qeverisë italiane foli gjithashtu për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me presidentin amerikan, planet e mëdha të riindustrializimit dhe investimeve të të cilit shqetësojnë evropianët.
Joe Biden kujtoi gjithashtu se Italia do të kryesojë G7-ën vitin e ardhshëm dhe bëri shaka duke thënë se “shpresoj se do të silleni mirë me mua si president”./ a.jor.