Sfida për video virale rrezikon jetën e të miturve

by admin
Spread the love

Për grup-moshat më të reja në Maqedoninë e Veriut ashtu si në gjithë botën, mbetet sfidë mbledhja e një numri sa më të madh të ndjekësve në platformën sociale Tik Tok.

Për të bërë një video virale, e cila synonte të joshte më shumë ndjekës, e ka vënë jetën në rrezik një vajzë e mitur nga Shkupi.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se me datën 27 nëntor një vajzë e mitur ka pësuar djegie të rënda nga rryma pasi vagoni në të cilin ishte ngjitur për të bërë video, ishte shkëputur dhe i është afruar rrjetit elektrik.

Në rrjetet sociale është shpërndarë lajmi se kjo video ishte planifikuar të shpërndahej në platformën sociale Tik Tok.

Fëmijët kopjojnë sfida të rrezikshme
Pas kësaj ngjarjeje, kanë reaguar përdorues më të moshuar të Tik Tok-ut. Ata kanë tërhequr vërejtjen se prindërit duhet të kontrollojnë përfshirjen e fëmijëve në këtë platformë, pasi grup-moshat më të reja mund të rrezikohen seriozisht pa qenë të vetëdijshëm.

“E pashë informacionin lidhur me vajzën që pësoi lëndime serioze gjatë realizimit të videos. Është e kotë të mendohet se kjo situatë mund të shmangej pasi e mitura sigurisht atë veprim e ka parë diku në ndonjë video tjetër, i është dukur interesant dhe ka provuar ta realizojë të njëjtën gjë me shpresë se kjo dot’ i sjellë më shumë ndjekës.Pra, fëmijët, të miturit janë të prirë të kopjojnë sfida pa qenë të vetëdijshëm se e vënë veten në rrezik”, thotë Martin Gjorgjievski, 27 vjeç, një përdorues i njohur Tik Tok-u nga Maqedonia e Veriut.

Jetlira Xheka nga Dibra, përdoruese e njohur e kësaj platforme, thotë se prindërit duhet të kenë në kontroll fëmijët e tyre kur përdorin Tik Tok-un, përkatësisht kur plasojnë video në këtë platformë. Ajo thotë se kjo platformë më vete përmban shumë kurthe veçanërisht për fëmijët. Me veprimet që i bëjnë më vonë, ata do të pendohen ndërkohë që videot bëhen virale pas shpërndarjeve dhe vështirë mund të fshihen.

“Fatkeqësi është dhe fakti që moshat shumë të reja, 10 apo 12 vjeç dalin me veprime të pahijshme dhe shprehen me fjalë të ndyta, përdorin shprehje të pista, ekspozojnë pjesë të trupit për çka më pas pendohen – qoftë vajzë apo djalë – pra pa vetëdije vetë e shkatërrojnë jetën e tyre”, thotë Xheka 20 vjeçe, e cila tashmë ka arritur të gjenerojë edhe të ardhura nga videot që i bën virale në Tik Tok.

Nevoja për edukim rreth termit reputacion online
Bojan Kordallov, ekspert i rrjeteve sociale, thotë se duhet të organizohen më shumë debate në media, po edhe në institucionet arsimore, për t’i njoftuar fëmijët, si dhe vetë prindërit, rreth sfidës bashkëkohore të quajtur reputacion online.

“Duhet kuptuar se është më se nevojshme t’i edukojmë të rinjtë se çka është reputacioni online, rreth sjelljes në hapësirën e internetit. Në të kundërtën, vrapi drejt famës, jo vetëm që do të sjellë fatkeqësi si të vajzës së mitur, por edhe mund të përfundojë me fatalitet. Por, njëkohësisht, duhet edukuar dhe prindërit pasi ata janë shumë hapa prapa fëmijëve të tyre për sa i përket përdorimit të aplikacioneve të caktuara dhe rrjeteve sociale”, thotë Kordallov.

Megjithëkëtë, Tiana Ivanovska, psikologe, thotë se nuk mund të ndalet hovi “thënë kushtimisht” i digjitalizimit të gjeneratave të reja, i përdorimit të rrjeteve sociale dhe tendencës në rritje për t’u bërë të famshëm, të dukshëm në rrethin ku jetojnë dhe më gjerë. Prandaj, shton ajo, “është shumë e rëndësishme që prindërit të kenë qasje te veprimet e të rinjve”.

“Pasi të rinjtë, veçanërisht grup-moshat më të reja, nuk janë në gjendje t’i parashohin pasojat që sjellin rreziqet e caktuara për të bërë një video atraktive ose thjesht dhe postime në rrjetet sociale, është shumë me rëndësi që prindërit të flasin me fëmijët e tyre dhe t’i paralajmërojnë për rreziqet. Por, për të arritur në këtë pikë, ata duhet të kenë më shumë njohuri rreth këtij trendi të quajtur luftë për famë dhe jo apriori të vendosin ndalesa, pasi fëmijët do të gjejnë mënyra për t’i realizuar ato qëllime, në një ose mënyrë tjetër”, thotë Ivanovka.

Nga dikasteri i policisë thonë se nuk mund të japin të dhëna të sakta se sa fëmijë pësojnë nga sfidat që sjellin rrjetet sociale, pasi zakonisht ato nuk raportohen si të tilla, por si aksidente gjatë veprimeve të caktuara.

Rasti i regjistruar si fatkeqësi gjatë realizmit të videove me qëllim shpërndarjen në rrjetet sociale është ai gjatë vitit 2017, kur një djalë 15-vjeçar duke tentuar të fotografojë shoqen e tij, i hipur në një vagon të mbushur me karburant gjatë lëvizjes i afrohet një shtylle elektrike me intensitet të lartë, merr flakë dhe ai pëson lëndime të rënda nga djegia./REL


Top Channel

You may also like