Sfida me Estoninë/ Kombëtarja me lojtarë të rinj për miqësoren

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare pas sfidës me Izraelin nuk humbi kohë por nisi punën për miqësoren me Estoninë që do të luhet këtë të hënë. Shumë prej futbollistëve të grumbulluar janë larguar dhe në skuadër janë thirrur emra të tjerë me trajnerin Reja që do të kërkojë t’u krijojë mundësinë për t’u aktivizuar.

“Kam lojtarë konkurrues për nesër dhe që kanë vlerë, kur luan në kombëtare nuk ekziston miqësorja sepse pritshmëritë janë të larta dhe duhen lojtarë me stimuj. Ndaj duhet të luajnë ata që janë aktivizuar më pak dhe jam i bindur se do të paraqiten mirë pavarësisht se është miqësore. Duhet të bëjmë një paraqitje me intensitet të lartë, të paktën këto janë pritshmëritë tona”, tha Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja.

Por trajneri italian nuk harroi t’u tërheqë pak veshin të tijve për gabimet e bëra në sfidën me Izraelin duke shtuar se ata duhet të kishin reaguar pas pësimit të golit të parë

“E nisëm ndeshjen siç duhej, ndonjëherë humbasim ekuilibrat si në golin e parë ku i dhuruam avantazh kundërshtarit. Duhet të përdorim më shumë mendjen dhe të provojmë t’i korrigjojmë këto. Duhet të vlerësojmë kë kemi përballë dhe të njohim kohën e ndeshjes. Këtë duhet ta përmirësojmë, ne reaguam mirë dhe ne ishim prezentë. Pas golit nuk mund të humbasësh përqëndrimin dhe pasi pësojmë nuk mund të humbasim humorin në fushë. Nuk jemi të vdekur sepse kemi edhe dy ndeshje dhe në Izrael duhet të shkojmë dhe të tregojmë forcën tonë. Ndaj Estonisë më intereson paraqitja dhe do të doja të shihja një ndeshje të bukur”, tha Reja.

Edhe Elseid Hysaj i pranoi gabimet e bëra nga kuqezinjtë në sfidën me Izraelin dhe shtoi se ato nuk duhen përsëritur më.

“Trajneri ka te drejtë sepse duke rishikuar ndeshjen kemi bere gabime taktike dhe këto nuk duhen të përsëriten sepse jemi lojtar qe luajmë ne liga kryesore duhet të tregohemi më të kujdesshëm. E kishim përgatitur ndeshjen dhe e dinim që do të kishte kundërsulme, por prapë nuk i evituam dot gabimet. Me Izraelin ishte një ndeshje që e kishim në dorë gabimet na kushtuan humbjen. Shpresoj që ato mos të përsëriten më“, tha futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj.

Kombëtarja do të luajë miqësoren me Estoninë në orën 18:00 të kësaj të hënë në Air Albania Stadium, një sfidë kjo që do të transmetohet në platformën Digitalb.


Top Channel

You may also like