Serbia, rikthim në luftën që humbi! – Shqip

by admin
Spread the love

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të distancohen nga regjimi i Vuçiçit, i cili, siç tha, po i financon dhe po kërkon luftë.

Për Kurtin, Serbia kërkon destabilitet në rajon.

“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk “jemi kundër askujt sa i përket përkatësisë etnike.”

“Serbia nuk po e fsheh që kërkon të vazhdojë luftën që e humbi. Kjo përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë dhe paqen në vendin tonë”, theksoi i pari i qeverisjes kosovare.

Kurti kujtoi atë që dikur e kundërshtoi fort: Paketën Ahtisari.

“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, argumentoi ai, duke kritikuar paraardhësit e tij për atë që është sot veriu i Kosovës, pasi sipas tij, “me kriminelët si Radoiçiqi dhe Veselenoviqi bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës”.

“Qeveria jonë është e interesuar për bashkëpunim me komunitetin serb në Kosovë. Ne duam që komuniteti serb të marrë pozitat që u takojnë me Kushtetutën tonë”, ka thënë Kurti, por shtoi se “Serbia, përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar këtë ambient të mungesës së sundimit të plotë të ligjit në veri, për një kohë të gjatë ka mbajtur dhe po mbanë peng qytetarët serbë”.

“Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, tha Kurti. /tesheshi.com/

You may also like