Serbë të ikur nga Policia e Kosovës, pas sulmeve të fundit në veri – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ministri i Brendshëm Xhelal Svelça tha se në mesin e kriminelëve pas sulmeve të së martës në dy komunat veriore, Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut, janë edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, të cilët dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit.

Sipas tij, përkundër sirenave paralajmëruese që janë lëshuar, qytetarët serbë nuk kanë dalë në rrugë për t’i përkrahur kriminelët. Ai tha se në sulmet e së martës në veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok janë përdorur bomba shokuese, granata dore dhe armë zjarri.

“Tani kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, si nga policia ashtu edhe nga shërbimet e inteligjencës, të cilat na tregojnë se disa nga këta kriminelë vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka theksuar Svelça dhe ka shtuar se ka vizituar urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë dhe se situata është e qetë.

I pyetur se a do të shtyhen zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për shkak të situatës së sigurisë, ai tha se policia ka kapacitete për të garantuar sigurinë, por se vendimi i takon institucioneve përgjegjëse.

“Jam i bindur se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar të gjitha proceset e nevojshme demokratike në Kosovë. Normalisht që vendimet merren nga institucionet përgjegjëse, siç është Presidenti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përgatit planin”, ka theksuar ministri.

Në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut të martën, zyrtarët komunalë zgjedhorë dhe policët, duke tentuar të hapin zyrat e komisioneve zgjedhore komunale, janë sulmuar me granata trullosëse dhe të shtëna në ajër, njoftoi Policia e Kosovës. Si rezultat, ata nuk kanë mundur të vazhdojnë procesin përgatitor për zgjedhjet e parakohshme në veri.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës u shpallën pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit nga Lista Serbe, kryetarët e së cilës dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit. /tesheshi.com/

You may also like