Seancë e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Seanca e 60-të e Kuvendit duhet të fillojë sot në ora 11:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qeveria e re që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski do të ketë 21 funksionarë. LSDM dhe koalicioni do të kenë 12 ministra, BDI gjashtë dhe Alternativa tre ministra. Kabineti i ri do të ketë një anëtar më shumë se ai i mëparshmi – ministër pa resor për diasporën, post që i takonte Alternativës.

Tetë anëtarë aktualë po largohen nga Qeveria, mes tyre edhe kryeministri Zoran Zaev. Nikolla Dimitrov nuk do të jetë më zv. kryeministër për Çështje Evropiane, Radmilla Sheqerinska largohet nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa anëtarë të Qeverisë nuk do të jenë ministri aktual i Shëndetësisë Venko Filipçe, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska, Ministrja e Punës dhe Politika Sociale Jagoda Shahpaska dhe Ministrja e Kulturës Irena Stefoska.

Ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiq (LSDM) duhet të zërë vendin e tyre si zv. kryeministrit për Çështje Evropiane, Slavjanka Petrovska (LSDM) në Ministrinë e Mbrojtjes, Bekim Sali nga Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, ministri aktual i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri (BDI) do të marrë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Jovana Trençevska (LSDM) do të udhëheqë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM) do ta marrë Ministrinë e Kulturës.

Admirim Aliti nga Alternativa do të jetë personi i parë i MSHIA-së, ndërsa Xhemail Çupi nga kjo parti është propozuar për ministër pa resor në krye të diasporës.

Lexo lajme interesante

You may also like