S’e shoh të përfunduar projektin e gazsjellësit, Kosova s’e ka luksin që ta refuzojë

by admin
Spread the love

Ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se nuk e sheh si çështje të mbyllur projektin e gazsjellësit amerikan në Kosovë duke shtuar se Kosova nuk e ka komoditetin ta refuzojë një gjë të tillë.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se përmes një projekti si ky i gazsjellësit amerikan të financuar nga MÇ-ja Kosova forcon marrëdhëniet me SHBA-në që e ka aleat strategjik.

“Me aq sa e kam kuptuar deklaratën e ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli nuk e shoh se ka përfunduar ky projekt në Kosovë, sepse Kosova nuk e ka këtë komoditet dhe luks që të refuzojë një projekt të tillë.

“Një projekt i tillë duhet të analizohet në disa dimensione. Është i pakontestuar në aspektin strategjik, ekonomik dhe është i rëndësisë së veçantë në aspektin integrues dhe kuptohet edhe në aspektin ambiental, social dhe forcimin e partneritetit strategjik. Është një projekt për të cilin amerikanët kanë bërë analiza dhe fizibilitet. Vetë fakti që është përcjellë nga MÇ-ja me një shumë prej 200 milionë eurosh për një hulumtim dhe përgatitje, por duhet të thuhet edhe fakti që po e fiton një dimension tjetër ose vlerë të shtuar. Në radhë të parë përmes këtij projekti forcohet partneriteti me SHBA-të që janë një aleat i rëndësishëm i Kosovës dhe në radhë të dytë reduktohet emetimi i CO2”.

Ekonomisti Gërxhaliu ka deklaruar se me projektin e gazsjellësit po synohet krijimi i një muri të ri energjetik, derisa përmend edhe faktin se edhe Greqia mosnjohëse për Kosovën është pjesë e këtij projekti.

“Mbi të gjitha po krijohet një mur energjetik që ka një vlerë tjetër ku për herë të parë Greqia është pjesë e një pozicionimi të tillë. Vetë fakti që Kosova nuk është e pranuar nga Greqia, por Greqia e pranon Kosovën që të jetë në këtë mur energjetik besoj që i jep një vlerë të shtuar”.

“U bisedua edhe për impiantet që janë në Greqi, por besoj se një projekt i tillë ka rëndësi rajonale. Besoj që Shqipëria do të jetë një përfituesit më të mëdhenj, sepse llogaritet që në Porto Romano të jetë një impiant lundrues e nga ku do të kemi lidhje me Malin e Zi. Në këtë drejtim Kosova do të jetë e furnizuar nga Shqipëria që do të jetë edhe një mundësi e re për të depërtuar ky gaz edhe në Serbi, pasi Serbia ka shprehur interes”.

You may also like