SARAJEVË – Pistorius: Gjermania do të intensifikojë praninë ushtarake në Bosnje-Hercegovinë nëse është e nevojshme

by admin
Spread the love

SARAJEVË, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius është shprehur në favor të rritjes së pranisë ushtarake në Bosnje-Hercegovinë nëse është e nevojshme.

Gjatë një vizite sot në misionin stabilizues të BE-së, EUFOR Althea, në Sarajevë, Pistorius rikonfirmoi vendosmërinë e aleatëve për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.

“Në Serbi dhe në Republikën Srpska në Bosnje-Hercegovinë, Rusia gjen vazhdimisht terren për përpjekjet e saj për të destabilizuar rajonin dhe për të zgjeruar ndikimin e saj, për shembull përmes fushatave dezinformuese dhe ndikimit në media”, tha ai, duke iu referuar entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës.

“Tensionet që rezultojnë në Ballkanin Perëndimor kërkojnë që ne të vazhdojmë dhe, nëse është e nevojshme, të intensifikojmë masat tona të stabilizimit në konsultim me partnerët tanë në terren”, tha Pistorius në funksion të perspektivës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ushtria gjermane, ose Bundeswehr, ka rreth 30 burra dhe gra të stacionuar në Bosnje-Hercegovinë si pjesë e misionit.

Ajo u krijua për të mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje-Hercegovinë në 1995.

Vendi mbetet një teatër potencial konflikti dhe ushtarët gjermanë mbledhin informacione përmes patrullave dhe kontakteve me popullsinë dhe institucionet vendase dhe përpilojnë raporte të situatës.

Gjithashtu, Pistorius vizitoi të hënën kryeqytetin kosovar, Prishtinën. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like