Rusia s’është në gjendje të paguajë borxhin e jashtëm për herë të parë që nga viti 1917

by admin
Spread the love

Rusia është në gjendje të paguajë borxhin e saj të jashtëm për herë të parë që nga Revolucioni i Tetorit të vitit 1917, me çka është izoluar edhe më tej nga sistemi financiar global si pasojë e sanksioneve të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kremlini humbi afatin e së dielës mbrëma për të përmbushur obligimin edhe pas grejs periudhës 30-ditore për shlyerjen e 100 milionë dollarëve interes, raportoi Bloomberg të hënën në mëngjes.

Rusia e quan çdo falimentim artificial. Sipas versionit zyrtar të Kremlinit, vendi ka para për të paguar borxhet, por sanksionet kanë ngrirë rezervat e saj valutore jashtë vendit.

“Është një gjë shumë, shumë e rrallë, ku një qeveri që përndryshe ka fonde, detyrohet të falimentojë e shtyrë nga një qeveri e huaj”, tha për Bloomberg, Hassan Malik, analist i lartë në “Loomis Sayles”.

“Do të jetë një nga kthesat e mëdha në histori”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e pengoi Rusinë të shlyente miliarda borxhe ndaj investitorëve ndërkombëtarë përmes bankave amerikane. Në përgjigje, Ministria ruse e Financave tha se do të paguante borxhet e shprehura në dollarë në rubla dhe do të ofronte “mundësinë e konvertimit të mëvonshëm në monedhën origjinale”.

“Ka para dhe ka gatishmëri për të paguar”, tha ministri rus i financave Anton Siluanov muajin e kaluar. “Kjo situatë, e krijuar artificialisht nga vendi armik, nuk do të ndikojë në cilësinë e jetës së rusëve”, shtoi ai.

Rusia detyrohet rreth 40 miliardë dollarë obligacione të huaja. Para fillimit të luftës, Rusia kishte rreth 640 miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari, shumica e të cilave mbaheshin jashtë vendit dhe tani janë të ngrira.

Kësisoj Rusia nuk i ka paguar borxhet e saj ndërkombëtare që nga revolucioni, më shumë se një shekull më parë, kur Perandoria ruse u shemb dhe u krijua Bashkimi Sovjetik.

Pasi një vend dështon të kryejë obligimet, ai mund të mos lejohet të marrë hua derisa të të zgjidhen dështimet dhe investitorët të fitojnë besim në aftësinë dhe vullnetin e qeverisë për të paguar.

Rruga Press

You may also like