Rusia mban referendumet e rreme në rajonet e kontrolluara pjesërisht në Ukrainë

by admin
Spread the love

Administratat e instaluara nga Rusia në katër territore ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska, kanë nisur të mbajnë më 23 shtator të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Moska mëton që përmes këtij procesi të aneksojë rajonet ukrainase.

Administratat e Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjas, do të mbajnë këto referendume, të cilat bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se votimet janë jodemokratike.

Liderët e instaluar nga Kremlini në këto katër rajone kanë thënë më 20 shtator, se planifikojnë të mbajnë votimet për aneksim prej 23 deri më 27 shtator.

Ukraina dhe kombet e Perëndimit kanë thënë se nuk do t’i njohin këto referendume si legjitime.

Vendimi për mbajtjen e tyre vjen teksa ushtria ukrainase është duke zhvilluar kundërofensivën drejt këtyre rajoneve, duke çliruar qyteza e fshatra dhe duke rritur mundësitë për mposhtjen e forcave ushtarake ruse.

Zyrtarët perëndimorë dhe ekspertët kanë thënë se planet e Putinit që të përdorë këto referendume të paligjshme për të fituar kontrollin mbi tokën e pushtuar ukrainase, dhe kërcënimet se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten, janë tentime për të frikësuar Kievin dhe përkrahësit e Perëndimit nga zgjerimi i kundërofensivës.

Putin ka thënë më parë se do të përdorë të gjitha sistemet e mundshme të armëve për t’iu përgjigjur kërcënimeve ndaj integritetit territorial të Rusisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka ftuar më 22 shtator anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, “që të dërgojnë mesazh të qartë se këto kërcënime bërthamore duhet të ndalen menjëherë”.

Ai i ka konsideruar përpjekjet e Rusisë që të aneksojë më shumë territor ukrainas si “një tjetër përshkallëzim dhe mohim të diplomacisë”.

Kremlini ka kryer një mori veprimesh në territoret ukrainase që kontrollon, të cilat zbehin edhe më shumë legjitimitetin e procesit të votimit.

Sipas vlerësimeve të Perëndimit, Moska ka dëbuar rreth 1.6 milion ukrainas nga këto rajone drejt Rusisë, si dhe ka dërguar shtetas rusë në territoret ukrainase.

Ajo po ashtu ka marrë të dhëna personale dhe biometrike të qindra mijëra shtetasve ukrainas në të ashtuquajturat “kampe filtrimi”, ashtu që të manipulojë procesin e votimit, kanë thënë ekspertët.

Ukrainasit nga këto rajone që banojnë në Rusi, do të mund të votojnë.

Nikolai Bulaev, zëvendësshef i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi, ka thënë se pret që “qindra mijëra” ukrainas që tashmë janë në Rusi, të marrin pjesë në këto të ashtuquajturat referendume.

Rusia nuk njihet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, pasi shpesh ka pasur raportime në media për mashtrime dhe manipulime.

E përditshmja Kommersant ka raportuar se aktualisht nuk ekziston asnjë databazë me informacione për numrin e qendrave të votimit që do të hapen në Rusi për shtetasit ukrainas.

Blinken u ka bërë thirrje vendeve anëtare të OKB-së “që të dënojnë referendumet mashtruese dhe të deklarojnë që gjithë territori i Ukrainës është dhe do të mbetet pjesë e Ukrainës”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, pavarësisht këtyre proceseve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like