Rusia gjobit Google me 34 milionë dollarë për shkelje të rregullave të konkurrencës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Autoriteti rus i mbikëqyrjes së konkurrencës gjobiti të martën Google me 2 miliardë rubla (34.2 milionë dollarë) pas abuzimit të pozicionit dominues në tregun e video hosting, tha rregullatori në një deklaratë.

Vendimi është gjoba më e fundit prej shumë miliona dollarësh, si pjesë e fushatës këmbëngulëse të Moskës kundër kompanive të huaja të teknologjisë.

Shërbimi Federal Antimonopol (FAS) deklaroi se kompania kishte “abuzuar me pozitën dominuese në tregun e shërbimeve të video hosting të YouTube”, duke mos dhënë detaje të tjera.

“Ne do të studiojmë përmbajtjen e vendimit zyrtar, për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”, tha Google në një deklaratë për Reuters.
Google duhet ta paguajë gjobën brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, tha FAS.

Në muajt e fundit, Rusia ka vendosur gjoba të shumta për degën ruse të Google. Javën e kaluar një gjykatë urdhëroi kompaninë të paguante 21.1 miliardë rubla (358.7 milionë dollarë) për ato që sipas prokurorëve ishin refuzime të përsëritura për të hequr përmbajtje që Rusia i cilëson të paligjshme, si “lajme të rreme” për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Që kur Moska nisi atë që e quan “operacionin e saj të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, ajo gjithashtu ka rritur sulmet ndaj kompanive perëndimore të teknologjisë, në një përpjekje për të ushtruar më shumë kontroll mbi hapësirën online, duke përfshirë mbështetjen e kompanive vendas për të larguar rivalët perëndimorë.

Gazprom Media – konglomerat mediatik i lidhur me gjigantin e gazit të kontrolluar nga shteti Gazprom (GAZP.MM) – ka promovuar shumë RuTube, alternativën e saj ruse ndaj YouTube, e cila ka shënuar rritje të lartë në trafik që nga shkurti i këtij viti.

YouTube, i cili ka bllokuar mediat ruse të financuara nga shteti në nivel botëror, është nën presion të madh nga rregullatori i komunikimit dhe politikanët rus.
Google ndaloi shitjen e reklamave online në Rusi në fillim të marsit, por ka mbajtur disa shërbime falas në dispozicion.

Dega e saj ruse paraqiti zyrtarisht falimentimin pasi autoritetet konfiskuan llogarinë e saj bankare, duke e bërë të pamundur pagesën e personelit dhe furnizuesve. / Reuters

You may also like