“Rusia armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje”/ Putini zbulon planet: Kontrollin e kemi ne!

by admin
Spread the love

Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia planifikon të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje, kontrollin i të cilave do të jetë në “duart” e Moskës.

Përmes një interviste për televizionin shtetëror “Rossiya-1”, Putini tha se Moska tashmë ka transferuar në Bjellorusi një sistem raketash me rreze të shkurtër Iskander – i cili mund të pajiset me koka bërthamore ose konvencionale – dhe pritet të përfundojnë ndërtimin e një objekti të posaçëm magazinimi për armët taktike bërthamore në fillim të korrikut.

Sipas shefit të Kremlinit, kjo lëvizje është e ngjashme me praktikën e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e armëve bërthamore në Evropë. Uashingtoni ruan kontrollin mbi armët, duke i mbajtur vendet pritëse – si Gjermania – të mos thyejnë angazhimet e tyre si fuqi jo-bërthamore. Të njëjtën gjë pritet të kryej edhe Moska me Minskun.

“Ne nuk do të dorëzojmë kontrollin e armëve bërthamore. SHBA nuk ua dorëzon atë aleatëve të saj. Ne në thelb po bëjmë të njëjtën gjë që (udhëheqësit amerikanë) kanë bërë për një dekadë”, tha Putin.

Gjatë intervistës Putin zbuloi se Rusia ka ndihmuar Bjellorusinë të konvertojë 10 avionë për t’i bërë ata të aftë të mbajnë koka bërthamore taktike.

Rusia do të fillojë trajnimin e pilotëve për të drejtuar avionët e rikonfiguruar në fillim të muajit të ardhshëm”, shtoi ai.

Qeveria bjelloruse është ndër aleatët më të afërt të Moskës. Bjellorusia nuk ka pasur armë bërthamore në territorin e saj që nga fillimi i viteve 1990. Menjëherë pas fitimit të pavarësisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ajo ra dakord të transferonte të gjitha armët e shkatërrimit në masë të kohës sovjetike të vendosura atje në Rusi.

Po ashtu, Bjellorusia ndihmoi Rusinë të nisë pushtimin e saj fillestar të Ukrainës në shkurt 2022, duke lejuar trupat e Kremlinit të hyjnë në vend nga veriu. Gjatë gjithë konfliktit ka pasur frikë se Bjellorusia do të përdoret përsëri si një terren nisjeje për një ofensivë, ose se vetë trupat e Minskut do t’i bashkohen konfliktit.


Top Channel

You may also like